Janë plot 14 vjet që kur nisi transmetimet edicioni i parë i “Portokallisë” dhe bashkë me ata pak aktorë-heronj që nisën dhe vijojnë rrugëtimin njëlloj me spektaklin e humorit është edhe Marin Orhanasi. I njohur për dhjetëra karaktere në çdo sezon, Marini e ka sfiduar veten në shumë interpretime, pothuaj të gjitha të suksesshme, por me disa prej karaktereve ka edhe ndonjë siklet të vogël. Nëse roli i Lulzim Bashës është një prej atyre që i ngjit më së shumti, për vetë Marinin, ai është edhe më i sikletshmi. Ndoshta, sepse, sidomos kohët e fundit, për shumë çështje të nxehta social-politike në Shqipëri, Basha ka pasur një rol jo të vogël.

Megjithatë, Marini ia ka dalë ta prezantojë atë dhe shumë role të tjera në ekran si një personazh që pritet mjaft mirë te publiku, shkakton të qeshura me batutat dhe ironinë e tij të hollë, por njëkohësisht, përçon edhe shumë mesazhe me monologët apo dialogët që merr përsipër të interpretojë.

Po si i shikon familja rolet e tij në ekran? Ndoshta jo gjithmonë ashtu si do të donte Marini. Së bashku me Dorinën dhe djalin e madh, Maidi, Marini ishte sot në studion e “Pasdite në Top Channel”, për të ndarë me publikun një pjesë të ndjesive që i jep puna e tij, por rrëfeu edhe për mënyrën se si e përjeton familja shfaqjen e tij në “Portokalli”.

Dorina, pas pyetjes nëse ka kritika për Marinin, tha se sa herë që ka diçka që nuk i pëlqen, ia thotë dhe kur mendon se diçka mund të kishte shkuar edhe më mirë nëse do të realizohej në këtë formë apo në një tjetër, ai gjithmonë ia mirëpret. Mirëpo “në aktorët e kemi gjithmonë justifikimin gati, sidomos unë” – thotë Marini pa drojë, edhe pse konfirmon se Dorina është pa rezerva kur është fjala për kritika.

Marini dhe Dorina kanë bashkë plot 18 vjet. Ishte koha kur ai xhironte filmin “Unë, ti dhe Kasandra”. Që nga ajo kohë e deri sot, familja e tyre është rritur. Veç Maidit, ata kanë edhe një djalë tjetër më të vogël që, ndoshta pas disa vitesh, do të nisë të shfaqë nga cili profesion do të anojë më tepër. Por, për momentin, vendin e parë pas Marinit në familje, e mban Maidi.

Ai, madje, nuk nguron që në fund të programit të prezantojë një numër të shkurtër nga “Portokallia”. I pëlqen Selim Shkëlqimi, veprimet e të cilit i njeh shumë mirë, por edhe plastikën e ka po ashtu mjaft të stërvitur. Ose, edhe pa u stërvitur fare… E ka trashëgim nga i ati.