Nuk jep receta të gatshme, sepse suksesi sipas saj është që ndryshimi të vi natyralisht tek çdokush! Vendosi të ndryshojë mënyrën e të ushqyerit, kur e kuptoj që shija ishte diçka jo e kultivuar, por që vinte së brendshmi. Sot, Jonida Çepani është vegjetariane, ndërsa prej 15 vitesh ushtron jogën. Udhëton në çdo cep të botës, nga Tajlanda në Indi, nga shtetet e Europës e deri në kontinentet e largëta për të marrë prej tyre eksperienca të paharrueshme. Aktualisht, të gjithë botën e saj spirituale dhe mentale, po e zhvillon në një tjetër stad, duke u shndërruar në një trajnere dhe mentore për të gjithë ata individë që duan një jetë të paqtë, në ekuilibra të plotë, larg ankthit, stresit, etj. Jeta dhe historia e saj do ju frymëzojnë sakaq! 

Si ndodhi kapërcimi nga një regjim ushqimor normal, në një stil jete vegane?

Preferenca ime për ushqimin vegjetarian dhe vegan erdhi natyrshëm gjatë studimeve dhe hulumtimeve shumëvjeçare të praktikave spirituale përfshirë Ashtanga Yoga dhe meditim në Indi. Ndryshimi erdhi si rrjedhojë e rritjes së vetëdijes dhe ndërgjegjësimit në lidhje me trupin, ndjenjat, emocionet dhe vlerat personale. Fillova të kuptoja cilat ushqime i përshtaten trupit tim dhe efekti që më jepnin kur i konsumoja. Pra, nuk ishte një vendim i mirëfilltë për të ndryshuar regjimin ushqimor por një proces zhvillimi personal që më dha lirinë të bëja përzgjedhjet e përshtatshme për veten në mënyrë organike, dmth pa vuajtjedhe pa ndjenja deprivimi. Secili nga ne është ndryshe dhe regjimi ushqimor që për mua është një zgjidhje e mirë mund të mos jetë i përshtatshëm për dikë tjetër. E rëndësishme është që përzgjedhja të bëhet me ndërgjegjësim të faktorëve të brendshëm si vlerat dhe fiziologjia e personit, sepse kështu rezultatet do të jenë më të qendrueshme në krahasim me rastet kur përzgjedhja e një regjimi ushqimor ose diete bëhet kryesisht nën influencën e faktorëve të jashtëm të cilet ende nuk janë bërë pjesë e vlerave personale.

Ç'do të thotë për ju të qenit vegane?

Të qenit vegane për mua do të thotë të jetoj në harmoni me trupin, mendjen, natyrën dhe mjedisin. Të ushqehesh “vegan” do të thotë të konsumosh produkte bimore dhe jo shtazore. Mua më pyesin shpesh me sinqeritet të plotë, se çfarë është ajo që unë ha nëse nuk ha peshk, mish apo prodhime bulmetore, çfarë ka mbetur atëherë?  Kam shumë përvojë me këtë pyetje.  Duke qenë se jam vegjetariane prej 10 vitesh dhe vegane prej 4 vitesh kam mbledhur një përzgjedhje të përgjigjeve dhe zakonisht përgjigjem: Çfarë hani ju? Shumë rrallë vendos për të biseduar me dikë rreth implikimeve fizike, mendore, emocionale dhe shpirtërore të konsumimit të produkteve të kafshëve. Pa përmendur mizorinë e tmerrshme të përfshirë për kafshët dhe mjedisin. Por, përvoja ime si vegjetariane dhe vegane më ka mësuar se shembulli është mënyra ime e preferuar e aktivizimit. Kjo dhe pranimi dhe mos gjykimi ndaj atyre ndryshe nga unë, sepse në fund të fundit shumica e të vërtetave duhen zbuluar në sferën e ndjenjës, në zemrën e zbuluesit. Ato nuk mund të përcillen në një dialog të rastësishëm për tu praktikuar.

Cilat janë veçantitë e këtij stili jetese?

Veganizmi për mua është një praktikë thellësisht detoksifikuese e cila sensibilizon dhe sigurisht në fillim mund të krijojë një trazim emocional duke na lënë përkohësisht të ndjejmë dobësi fizikisht ose emocionalisht. Është e rëndësishme të dini se veganizmi në fillim është një praktikë para se të bëhet një rrugë (path). Është OK ta provoni, ta lini, dhe t’i riktheheni përsëri.

Krahas stilit vegan të jetesës, ju praktikoni edhe jogën. Të dyja janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë një funksion real në jetën tuaj apo jo?

Unë besoj se me praktikën e jogës është e mundur të pastrojmë trupin dhe mendjen dhe të arrijmë në këto realizime mjaft lehtë, duke kërkuar gjithnjë e më pak ushqimet që turbullojnë trupin dhe mendjen dhe duke preferuar ushqimet e pastra bimore.

Sa herë e praktikoni jogën dhe cilat janë benefitet mentale dhe ato fizike që ndikojnë direkt tek ju?

Normalisht jogën e praktikoj pesë ditë në javë. Kur nuk kam mundësi të bëj joga atëherë bëj disa minuta meditim budist në mëngjes dhe në darkë. Faktikisht, i bie që të meditoj çdo ditë kur bëj dhe kur nuk bëj joga, sepse meditimi bëhet kudo, nuk kërkon kushte ose kohë të caktuar. Stili i jogës që unë praktikoj prej 13 vitesh quhet "Ashtanga YogaMysore" dhe në thelb është meditim në lëvizje. Benefitet që kam marrë nga praktika e ashtanga yogës janë aq të shumta sa ky artikull nuk do ishte i mjaftueshëm për t'i diskutuar. Meqënëse më pyetët për benefitet e mia konkretisht praktika e Ashtangës për mua ka ndikuar veçanërisht duke më dhënë aftësinë për të ruajtur qetësinë dhe ndjenjën e të qenit në balancë në çdo situatë sado sfiduese të jetë, kontroll të frymëmarrjes, dhe një gradë tonifikimi të trupit që normalisht arrihet vetëm duke qenë sportist ose balerin. Në parim nuk është e rendësishme cilin stil joge praktikojmë sepse ndryshimi ndërmjet stileve është i dukshëm veteë në aspektin fizik (posturat e jogës), aspekti spiritual i jogës është unitet. 

A ja sugjeroni këtë stil jetese shumëkujt?

Yoga është një praktikë shëruese për trupin dhe mendjen dhe për këtë arsye ja rekomandoj çdokujt në çdo moshë të jetës. Joga dhe meditimi tashmë përdoren në fushat e psikologjisë klinike si metoda shoqëruese në kurimin e disa çrregullimeve mentale dhe psikosomatike (burn-out, ankth, depresion, varësi të ndryshme) por edhe në fushat e sportit dhe menaxhimit të stresit në kombinim me mentorimin (coaching).

Flasim pak edhe për lifestyle, ju keni një jetë të mbushur me udhëtime, aventura kudo nëpër botë. Na rrëfe më shumë rreth tyre?

Më pëlqen të udhëtoj për punë dhe për qejf, prandaj gjithmonë kam zgjedhur të punoj në ambient internacional. Kjo më ka mundësuar të udhëtoj shpesh dhe të njihem me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Udhëtimet për mua simbolizojnë ndryshimin në perspektivën e vetë-perceptimit (self realization). Është ai lloj ndryshimi që ka burimin e tij në maturinë mendore dhe emocionale dhe në kuptimin e thellë të domethënies së jetës. Siç thonë budistët e vetmja konstante në jetë është ndryshimi. Njohja dhe përshtatja me kultura të ndryshme konkretisht më ka dhënë mundësinë të zhvilloj telentet e mia dhe pasionin për të ndjekur një profesion të dyte atë të mentores dhe trajneres.

Projektet tuaja të radhës, cilat janë?

Projektet e zemrës aktualisht janë: Puna si trajnere dhe mentore (health & lifestyle coach) ku ndihmoj njerëzit të rrisin mirëqenien e tyre fizike dhe emocionale me teknikat e fundit në fushën e spiritualitetit dhe psikologjisë.Për biznesin ofroj shërbime trajnimesh për lidership, biznes dhe komunikacion, për liderë të veçantë ose ekipe. www.worklife-center.com Kurse projektin më aktual po e ndaj për herë të parë me ju: Është një kontribut për të gjithë Shqiptarët e interesuar për Yoga dhe meditim ata jogistët dhe të interesuarit në fushën e zhvillimit personal dhe profesional që më kanë ndjekur dhe kontaktuar vazhdimisht për konsultim. Do të ndaj me ta eksperiencën time në këto fusha në formë të një Blogu dhe Youtube channel që do ta publikoj së shpejti në rrjetet sociale: Instagram Jonida Çepani dhe faqja facebook Superfood Tirana. Emri i Youtube channel do të jetë BodymindTunes që do të thotë Harmonia e trupit dhe mendjes. Shikuesit do të marrin këshilla praktike si të praktikojnë yoga, meditim dhe si të rrisin mirëqenien e tyre fizike dhe mentale.