10 vjet më parë, kohë kur Bledi Strakosha u shkëput nga prindërit për të jetuar vetëm, nuk ishte një periudhë e lehtë. Por dëshira për të pasur më shumë liri, për t’u hutuar me orë të tëra para televizionit pa e ngacmuar askush apo qoftë edhe më shumë hapësirë për veten ishte një çlirim fizik dhe shpirtëror, në një mënyrë a një tjetër, megjithëse mori me vete edhe kostot e mungesës së mamit, dorës dhe kujdesit të saj. Megjithatë, “drama” kaloi shpejt…
Sot, Bledi Strakosha hapi dyert e shtëpisë së tij për kamerën e “Pasdite në Top Channel” dhe prej andej, rrëfeu edhe disa sekrete për gjithçka ka vendosur brenda atyre mureve.
E gjithë hapësira, në pamje të parë, është e mbushur me objekte që tregojnë ngjarje. Pak para se të hyjë në pjesët e brendshme, Bledi ndalet në korridor, në të cilin nis të tregojnë disa qoshe shumë të shtrenjta për të.
Këtu janë gërshetat e prerë të së ëmës: ishte koha kur ajo, si shumë vajza të tjera, të detyruara nga sistemi, duhet të ecnin në të njëjtin hap me djemtë për ta lënë mënjanë feminilitetin.
Pak më tutje, Bledi tregon një kënd me foto të mëdha, në korzinë, nga rinia e tij e hershme. Ishte koha kur ai vazhdonte të ëndërronte për t’u bërë top model. Sot e kujton me të qeshur, por edhe ky është një kënd që e ka shumë për zemër.
Këtu është edhe biçikleta. Megjithëse ka makinë, Bledit i pëlqen shumë të jetë më sportiv dhe më pranë natyrës.
Pasi hyn në sallon, nuk sheh thuajse asnjë hapësirë boshe. Në pamje të parë është shumë e ngarkuar, por çdo send këtu ka një histori që fsheh mbrapa. Ky është vendi ku Bledi kalon shumë kohë me veten, por edhe me miqtë, këtu shikon me orë të tëra televizor, madje shumë herë këtu e zë gjumi mbi divan.
Ka një bibliotekë, me libra të lexuar ose jo, me suvenirë të mbledhur nga pothuaj të gjithë vendet ku ka shëtitur, por edhe me shumë kryqe. Siç tregon moderatori, ai beson shumë, nuk frekuenton ndonjë objekt kulti, por është supersticioz dhe në shtëpi mban shumë kryqe për të qenë “i mbrojtur” nga çdo e keqe që mund t’i kanoset.
Pyetjes pse ka zgjedhur ta ketë kaq të ngarkuar shtëpinë, Bledi përgjigjet thjeshtë: “E doja të ngarkuar që të mos ndihesha vetëm, më pëlqen edhe ky lloj stili, por ndoshta do të mendoj edhe për ta rimodeluar.”
Ndërsa për ta pastruar e ka gjetur zgjidhjen – mami: “Përgjithësisht për shtëpinë më ndihmon mami, nga pluhurat jam alergjik, po kam edhe një zonjë që më ndihmon. Madje, në fillim, kur i thashë që është shtëpi e vogël e nuk do lodhesh shumë, më tha “të vogël e ke, por me gjithë këto xhingla mingla… që paske për të pastruar”, – rrëfen Bledi me të qeshur.
Por është vendi ideal i tij, streha ku ndihet tërësisht në paqe. Larg gjithçkaje dhe larg të gjithëve.