Është vetëm 19 vjeç, por modelingun e ka nisur nga “halli”. Të paktën kështu rrëfeu sonte nga Top Magazine modelja e njohur Endi Demneri, meqenëse si fillim iu desh të pozonte për hatër të tezes që kishte hapur një dyqan veshjesh nusërie. Por kaq u desh. Tiparet mesdhetare, bukuria natyrale ranë shpejt në sy të të gjithëve dhe të bërit modele u kthye në punë shumë shpejt për Endin.
Sot është studente e Art Design, vazhdon kontratat me kompanitë e modelingut, por është shumë e tërhequr nga vëmendja e publikut. Këtë e ka kërkuar prej kohësh Endi, por nuk ka shpëtuar dot nga thashethemet mediatike.
Megjithatë, sonte, nga studio e Top Magazine, Endi zbuloi më shumë për veten. Mes të tjerave, modelja tha edhe arsyet pse ka zgjedhur të jetë larg vëmendjes. Një prej këtyre arsyeve janë edhe spekulimet për operacionet plastike:
“Më vjen mirë që m’u dha rasti ta them këtu. Jam përfolur për operacionet plastike. Jam vetëm 19 vjeç. Nuk është e vërtetë dhe nuk kam bërë aspak operacione plastike dhe nuk kam ndër mend të bëj. Kam bërë modelen që në moshën 15-vjeçare dhe pot ë shikoni fotot e mia në këto vite, asgjë nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar vetëm fustani (më i madh, më i fryrë). Nuk jam kundër operacioneve, por për momentin tek unë nuk është e nevojshme” – tha Endi duke sqaruar të gjithë dyshimet për këtë temë.