Takimi ynë nisi me një paragjykim: unë për të, pasi do intervistoja motrën e madhe të Inisit dhe Ingritit dhe kisha krijuar përshtypjen që do të ishte një zonjë shumë e kuruar e moderne dhe paksa mendjemadhe…dhe ajo për mua, “gazetarja që pavarësisht asaj çfarë mund t’i them, do shkruaj atë që asaj i intereson, me tituj bombastik, që ndonjëherë nuk kanë lidhje me tekstin, me atë që shkrimi ka brenda”.

Sapo u takuam e kuptova që e kisha pasur gabim. Ilda ishte shumë e thjeshtë, miqësore, e qeshur dhe po aq e bukur sa dy motrat e saj të vogla (këtu më erdhi ndërmend Ana e cila thotë shpesh me shaka se kur del me mamin, djemtë ngacmojmë më shumë atë). Sa për paragjykimin e saj, jam në provë deri në fund të kësaj interviste.

Është bërë nënë në moshë shumë të re, 18 vjeç ka sjellë në jetë vajzën e parë, Anën, që të gjithë e njohim, 23 vjeç u bë nënë për herë të dytë me Vikin dhe disa vite më vonë familja u shtua me një djalë. Për të, familja vjen e para, për këtë arsye braktisi karrierën në TV, për të qenë gjithnjë pranë fëmijëve, bashkëshortit, motrave, një zgjedhje për të cilën e thekson se nuk pendohet në asnjë moment. Nëse do t’i jepej mundësia për t’u kthyer pas në kohë, ajo do ta ribënte sërish.

Ilda me vajzën e saj, Anën

Që e vogël ka pasur këtë rol në familje. Duke u kthyer pak në fëmijërinë e motrave Gjoni, Ilda na tregon se për Ingritin dhe Inisin, ka qenë më tepër se një motër, si një mama që kujdesej për to, e i duket shpesh se historia po i përsëritet me mbesën dhe nipin, Coco-n dhe Paridin. Ajo “ka gisht” në suksesin e dy motrave më të vogla, ndonëse gjithnjë është në prapaskenë. Kur Inisi qëndronte me orë të zgjatura për të punuar shfaqjen e radhës, e “flinte mendjen” se Coco ishte në duart e sigurta, Ingriti nuk duhej të shqetësohej aspak kur ishte në një koncert nëse ka ngrënë apo jo Paridi, pasi pranë kishte teze Ildën. E njëjta gjë edhe me Anën, nëse asaj i griseshin getat e baletit, mami Ilda nxitonte që të shkonte menjëherë në shkollë, për t’i dhënë getat e reja. Kurresi vajza e saj nuk duhej të ndihej inferiore ndaj shokëve dhe shoqeve të klasës.

Gjithçka e bërë me dorë nga Ilda me kartona shumëngjyrëshe


Ndonjëherë gjatë bisedës, për një moment e harroja se kë po intervistoja, mos ndoshta një mësuese gjuhë-letërsie, pasi ishte e dashuruar me librat dhe këtë e tregonte në çdo moment, nuk ishte shumë e vështirë për ta kuptuar gjatë bisedës se sa shumë libra kishte lexuar , por ndonjëherë më dukej si një psikologe. Dinte shumë për psikologjinë e njerëzve, kryesisht fëmijëve, si duhej të silleshe me ta, si të komunikoje, jo më kot ka një marrëdhënie aq të mirë me fëmijët e saj…pastaj e kuptoja që përpara kisha Ildën, artisten. Shumë pak e dinë, që motra e madhe Inisit dhe Ingritit merret me art, me artin e punëve të dorës. Prej mëse dy vitesh, talentin e saj, Ilda e ka kthyer në një biznes, biznes në të cilin fiton para, ndoshta jo aq sa të mbajë familjen, por për të është mjaftueshëm. I nevojitet vetëm një karton me ngjyrë, një palë gërshërë dhe një pistoletë silikoni dhe brenda një kohe të shkurtër, ajo bën me to lule kartoni, vazo me lule, backdrop-e të mëdha, ftesa të personalizuara, të cilat aktualisht janë një trend botëror, por që tek ne nuk është ende shumë i përhapur.

E ka nisur gjithçka shumë rastësisht, ku një shishe shampanje që kishte mbaruar e kishte shndërruar në një vazo shumë të bukur lulesh… të njëjtën gjë kishte bërë dhe mami i saj shumë kohë më parë. Ishte e bindur që këtë talent e kishte trashëguar nga ajo dhe shumë e lumtur nga ana tjetër që e kishte zbuluar, ndonëse pak vonë, por siç thotë një shprehje e urtë “më mirë vonë se kurrë”, aftësinë e saj për t’i dhënë vlerë disa objekteve që ndoshta u kishte ardhur koha për t’u hedhur në kosh. Në pamje të parë mund t’i nënvlerësoni e të thoni, “çfarë janë ato, fundja thjesht lule kartoni”. Ilda do t’ju mirëkuptonte, pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe ajo në fillim, kur shkoi të pyeste në një dyqan, pasi mbesa e saj kishte 5-vjetorin. Ishin shumë të shtrenjta, prandaj mori përsipër që ditëlindjen e Coco-s ta bënte ajo vetë. Në fillim lulet nuk ishin dhe aq të bukura, të paktën kështu i vlerëson Ilda, të para tashmë nga syri i një profesionisteje, iu desh shumë kohë për një lule dhe pothuajse dy muaj për backdrop-in e madh për ditëlindjen Cocos, vajzës së Inisit.

Punimet e bëra për ditëlindjen e djalit të Ingritit, Paridit
Punimet e bëra për ditëlindjen e vajzës së Inisit, Coco-s

Sot, ajo ka një faqe në Instagram, ku reklamon të gjitha punimet me dorë e ku mund të kontaktoni në rast se dëshironi t'i blini produktet që ajo krijon. Shumë shpejt, Ilda ka në plan të hapë një dyqan me lule natyrale, por sigurisht pa harruar lulet e kartonit, do jetë një biznes “dy në një”, sepse kurrsesi nuk mund të heq dorë nga pasioni i saj.

Ju njohim si motra e madhe e Inisit dhe Ingritit, së fundmi dhe mamaja e Anës, por tani kemi zbuluar që ju keni dhe një aktivitet tuajin...
-Po. Unë kam një biznes timin me lule kartoni artificiale, që aktualisht është trend botëror. Kam pothuajse dy vite që bëj punime me lule kartoni.

Inisi dhe Ingriti janë të famshme, Ana po ashtu, ndërsa ju keni zgjedhur që të qëndroni larg botës së medias. Përse ky vendim?
-Unë nuk kam qëndruar në hije sepse kam punuar për një periudhë kohore në televizion, por duke qenë se jam bërë mama shumë herët, zgjodhja që t’ju dedikohesha plotësisht atyre. Pastaj unë kam qenë gjithmonë një suport për të tria dhe kam pasur një rol, ndonëse në prapaskenë, për suksesin e tyre.

Të kthehemi pak në kohë. Ka qenë kjo ndarje që kur ishit të vogla, Inisi dhe Ingriti që kishin qejf botën e televizionit, të shfaqurin dhe ti pak më ndryshe?
-Ne jemi rritur në një familje artdashëse, në një farë mënyre. Babai ishte ai që na kishte ushqyer me dashurinë për muzikën, letërsinë…gati-gati sikur e dinim që të vogla që do merreshim me art, ndonjëherë më duket sikur kemi lindur për të qenë të njohura.

Si i mbani mend Ingritin dhe Inisin të vogla?
-Me Inisin kemi shumë pak vite diferencë. Mbaj mend që kujdesesha për të si çdo motër e madhe, madje edhe kur luanim i bëja gjithnjë me shenjë që të bëhej me mua në një skuadër, sepse nuk e shikoja dot si kundërshtare. Ndërsa me Ingritin është diçka ndryshe pasi kemi një diferencë shumë të madhe, prej 9 vitesh, e trajtoja si vajzën time, jo si motrën. Ndonjëherë rastiste të ikte mami dhe babi në punë dhe e mbaja unë Ingritin, madje sikur kthehem pas në atë kohë tani që mbaj djalin e saj, Paridin. Më duket si përsëritje. Ingritin e trajtoja si vajzën time, madje ne nuk e thërrisnim në emër, po i thoshim "goca", "ku është goca".

Cili është raporti juaj me vajzën e madhe, Anën?
-Unë Anën e kam si një shoqe, më saktë me të dyja vajzat kam një marrëdhënie të tillë, duke qenë se kam qenë shumë e re kur jam bërë nënë. Duke qenë se dëshirat e mia në atë kohë nuk i realizova të gjitha, tashmë dëshirat e tyre i konsideroj si të miat. Kam shumë qejf që ato të dalin, nuk jam aspak një mama konservatore, ama ama jam shumë e fiksuar nga ana tjetër, dua ta di ku janë, të ma hapin celularin me zilen e parë, janë pak të theksuara gati në paranojë. Madje t’ju tregoj një rast: kur Ana kishte ikur të bënte për herë të parë pushime me shoqërinë në Vlorë (pushimet i bëjnë me mua) televizorin e lija tek News 24 dhe shikoja lajmet ditë e natë. I kam marrëdhëniet shumë të mira, megjithatë unë jam mami, sado të mundohemi të jemi si shoqe, unë jam mami i tyre dhe ato e dinë shumë mirë këtë gjë.



Ju pëlqen Ana më tepër si aktore apo si balerinë?
-Ana më pëlqen në të dyja. Si balerinë ka qenë shumë e mirë, por pati një problem me gjurin dhe u detyrua ta linte, por si aktore më sjell një emocion tjetër, kur është në skenë, nuk kam frikë, nuk e kam atë sikletin që do e ngatërrojë pjesën, jam shumë e sigurt. Por edhe në balet. Unë vij çdo të hënë te Dance With Me. Ajo gjithmonë përpara se të nisë spektakli kontrollon llozhën ku unë jam ulur. Anën nuk e kam siklet me çdo lloj arti që të merret, qoftë me aktrimin qoftë me baletin.

Jua thotë Ana sekretet?
-Ana tregon të gjitha sekretet dhe më pëlqen kjo marrëdhënie, ndonëse ka momente që nuk dua të m’i thotë disa, por buzëqesh dhe them me vete që nuk duhet ta prish këtë marrëdhënie të bukur që kemi. Ndërsa me vajzën tjetër është ndryshe. Mundohem që nëpërmjet Anës të mësoj ndonjë sekret, ose i them "thuaj ti Ana ndonjë gjë, që të flasë edhe ajo".

Edhe ju si pjesa tjetër e familjes, merreni me art, diçka shumë ndryshe, me punën e dorë. Si ju lindi kjo ide?
-Rastësisht të them të drejtën, nuk e dija që e kisha këtë talent. Njerëzit në përgjithësi kanë talente dhe unë jam shumë e lumtur që e kam zbuluar, ndonëse në moshë të vonë, pasi disa të tjerë vdesin pa e zbuluar. Më duhej një dekor për ditëlindjen e mbesës, vajzës së Inisit, me këtë trend botëror me lule kartoni dhe shkova për t’i blerë, por çmimet ishin jashtëzakonisht të larta. Kështu që thashë "pse mos ta bëja vetë?!". Fillova ta provoja pak e nga pak, sigurisht më duhej shumë kohë për të bërë një lule. Ato të parat ishin “skandaloze”, nuk dija trashësinë e letrës, më duhej kohë për të bërë një backdrop, punova rreth dy muaj dhe po fillonte të më pëlqente lulja. Por nuk kisha mjetet e duhur, nuk dija që ekzistonte pistoleta e silikonit, por duke parë dhe duke bërë. Përveç punës, në fakt duhet të kesh edhe pak atë syrin artistik, pasi çdo petal preket me dorë, prihet me gërshërë, ngjitet. Unë në çdo petal jap shumë dashuri dhe dua ta trajtojnë njësoj atë edhe kur e marrin. Fillimisht e nisa me ditëlindjen e mbesës, pastaj mbusha shtëpinë time për Vitin e Ri, dhurova pa fund. Kam parë video në internet sesi i bënin, ndërsa tani sigurisht kam arritur në një stad që krijoj nga mendja ime, lulet janë perfeksionuar. Duhet një durim i tmerrshëm dhe këtu e kuptova përse i shisnin aq shtrenjtë. Mendoja që janë thjesht lule letre, por kërkonte shumë durim, përfshirë materialet dhe hakun e punës normalisht.



Biznesi si nisi?
Në fillim e kisha shtëpinë me lule plot që vetëm i dhuroja. Pastaj thashë një ditë, pse të mos hapja një faqe në Instagram, sepse më pëlqenin aq shumë ato lule, sa më vinte keq që të qëndronin vetëm aty, apo t’ua dhuroja njerëzve që njihja. Nisi kështu si lojë, madje në fillim bashkëshorti im ishte skeptik, më tha “ti do e ndrisësh”. Por isha e sigurt dhe kujtoj që i kam thënë: “kur të filloj të shes, do të jesh ti ai që do dërgojë porosinë” dhe tani ka pasur raste që më është dashur ndihma e tij për ta çuar mallin diku, vetëm se nuk e paguaj (qesh).

Ju nuk keni menduar që të punësoni disa vajza që t’ju ndihmojnë?
Mora disa vajza në fillim që kishin qejf të mësonin dhe thashë pse jo të më ndihmonin dhe mua, por akoma nuk më pëlqen dora e dikujt tjetër. Unë dua që edhe pasi të iki unë, klientët të mbeten të kënaqur dhe të thonë "sa bukur e ka bërë”. Më pëlqen shumë kjo punë, unë lulen nuk e trajtoj si një lule kartoni, por si një bebe. Detyra ime nuk është vetëm që ta krijoj, por kujdesem vetë personalisht që ta mbaroj punën, deri në momentin që ajo ka marrë formë përfundimisht. Kështu që nuk kam pasur sukses në pjesën e të marrit të njerëzve që do më ndihmonin. Me këtë punë unë heq lodhjen, stresin, kënaqem kur e bëj. Ndonjëherë angazhoj nipin dhe mbesën që kanë qejf të punojnë, u jap letrën dhe gërshërën të bëjnë ndonjë lule të vogël, të mësojnë. Nuk bëj vetëm lule, por edhe gërma, çdo gjë është e punuar me dorë. Unë mund ta gjej atë të gatshme, por jo, preferoj që ta punoj vetë me dorë.

Cilat janë materialet që përdorni?
Për hir të së vërtetës është pak e vështirë për të gjetur bazën materiale. Në videot që shoh në internet, shoh që ato vajzat kanë shumë nuanca të ngjyrave, p.sh. 9 nuanca të lejlasë, ndërsa këtu po gjete 3 duhet të jesh shumë e lumtur. Përdor kartonin që nuk është as shumë i trashë, as shumë i hollë. Ka pasur raste që kam qenë në ndonjë udhëtim dhe blej ndonjë. Puna e dorës këtu te ne nuk vlerësohet, pasi kemi qenë të ngopur me triko leshi, çentro dhe shitet shumë pak krahasuar me jashtë shtetit, ndërsa materiali këtu blihet shumë shtrenjtë. Ndërkohë që jashtë ndodh e kundërta: materiali kushton shumë pak, ndërsa puna e dorës shitet shumë shtrenjtë. Megjithatë unë jam shumë e kënaqur, nuk është se kjo është puna që më ndihmon të ushqej familjen, por për sa kohë që është një punë ekstra, e bëj me qejf dhe do të vijoj ta bëj.



Cilët janë blerësit tuaj?
Fillon shkolla, të gjithë mamatë duan vazo për mësueset, për ditëlindje i duan. Ndoshta varet dhe nga fakti që ndjekësit që kam në Instagram, janë më të rinj. Ka kërkesa goxha p.sh. në ambientet e zyrave, që punohet me shifra, përpiqen ta rregullojnë mjedisin ku punojnë, me lule. Ata që kam klient, i kam të përhershëm, pasi u lodhet syri me një arredim, e ndryshojnë, edhe në varësi të festave.

I mbani mend klientët e parë?
Gocës së Insit ia kam bërë dhuratë. Kisha një emocion shumë të madh. Ishte e bërë me ngjyra rozë pastel dhe me një të verdhë të ëmbël. Duke qenë se isha fillestare, kisha emocion se si do të gjykohesha nga shoqëria e Inisit. Nuk më zinte gjumë, kisha emocione të përziera, nuk e di, ndoshta nga qejfi që më kishte dalë mirë, frikë. Kështu më ndodh dhe me Anën kur del në skenë. Shihja me vëmendje çdo fjongo, çdo tullumbace. E pëlqyen, sigurisht unë shihja edhe lulen e parë që kisha bërë gabim, por mbetën shumë të kënaqur.

Si është marrëdhënia me “konkurrentët” tuaj në këtë biznes?
Ne nuk e kemi inat njëra-tjetrën. Madje në Instagram i bëjmë “like” njëra-tjetrës. Ka vajza që i bëjnë goxha të bukura punimet, i shoh, them “sa bukur e paska bërë, ndoshta më jep një ide”.

Keni nisur të bëni plane për ta rritur biznesin?
Po mendoj që të hapim një dyqan me lule natyrale, që t’i bëj bashkë të dyja. E kemi si projekt, thjesht si ide. Akoma është shumë shpejt, por e kemi në plan.

 

 

Punimet e bëra për festat e fundvitit