"Mi chiamano Mimì", një prej veprave të famshme të Xhiakomo Puçinit (Giacomo Puccini) u bë shkak i emrit të ish-ministres Mimi Kodheli. Edhe pse është abuzuar shumë edhe me emrin e saj (s’ka gjë, thotë ajo), tanimë ajo kohë ka kaluar dhe çka përmendet në ditë të tilla si e sotmja është një nostalgji e largët - në fakt, shumë e bukur, që nisi pikërisht nga emri Mimi.
Pikërish nga emri u nis më shumë se 30 vjet më parë edhe bashkëshorti i saj. Kureshtar për të ditur se kush ishte vajza që mbante këtë emër, Lekë Kodheli as nuk e kishte menduar se më vonë pikërisht ajo vajza me emrin e pazakontë do të ishte e zgjedhura e jetës së tij.
Në një rrëfim ndryshe për “Pasdite në Top Channel”, Mimi kujton edhe si lindi dashuria e saj me Lekë Kodhelin: “Ne kemi punuar në të njëjtin sistem. Si fillim, im shoq është ndier i çuditur, ka qenë kurioz për emrin tim, që nuk është një emër i zakonshëm dhe tha ‘pa ta shoh një herë këtë vajzë, kush është kjo që e mban këtë emër’”.
Kaq ishte shkëndija. Pastaj nuk është me rëndësi se çfarë ndodhi. Në një familje si ajo e Mimit, ku prindërit e saj ishin marrë me dashuri, nuk mund të konceptohej mblesëria, kështu që edhe ish-ministrja vendosi ta zgjedhë vetë fatin e jetës.
Por ç’ishte ky emri i rrallë që i kishte mbetur në mendje Lekë Kodhelit?
Mimi tregon se ishte pikërisht i ati ai që e ka pagëzuar me këtë emër, sepse ishte i apasionuar pas Puçinit: “Babai im ka qenë apasionat i Puçinit, kam pasur për baba një djalë shumë të talentuar, e them djalë sepse ka vdekur shumë i ri, 54 vjeç, një poliglot i mirë që ka pasur pasion muzikën klasike. Duke qenë unë fëmija i parë, ai donte që të kristalizonte tek unë atë që donte më shumë, një arsye më tepër për atë që unë përfaqësoj sot…” – rrëfen Mimi ndër të tjera.
Mimi Vata ishte emri që e bëri kureshtar bashkëshortin e ish-ministres së Mbrojtjes, por ishte një emër që shkonte shumë edhe me mbiemrin dhe meqë ishte kështu, Mimi zgjodhi ta mbante edhe pas martesës: “Kur kam bërë celebrimin, më kanë pyetur nëse doja të mbaja mbiemrin dhe thashë timin, por pastaj kur hapa letërnjoftimin, pashë që më kishin vënë mbiemrin e bashkëshortit”, – tregon ajo për një kohë që e kishte të vështirë të pranonte që bashkëshortja të zgjidhte të mbante mbiemrin e saj. “Po jam ok, mbaj një mbiemër të nderuar dhe besoj që kam ditur ta mbaj mirë këtë mbiemër”, – thotë e bindur Kodheli.
Me siguri, edhe familja e bashkëshortit të saj mendon njëlloj me të, sot e 30 vjet të shkuar.