Mjalti i luleve nga provincat juglindore të Turqisë (Hakkati) ka aftësi shumë më të larta antimikrobike sesa mjalti i famshëm Manuka, i njohur në të gjithë botën, që prodhohet në Australi dhe në Zelandën e Re. Ky konkluzion është rezultat i një studimi të fundit që i është bërë mjaltit të kësaj zone të Turqisë.
Sevgi Kolaylı, një profesor kimie në Universitetin Teknik ‘Karadeniz’ nëTrabzon, thotë se studimi i fundit ka pasur fokus analizën e mjaltit të mbledhur në zona të ndryshme të Turqisë. Pas analizave laboratorike, u vërtetua se ky lloj mjalti ka efekt të jashtëzakonshëm antimikrobik në krahasim me mjaltin e famshëm në të gjithë botën, Manuka.
Studimi i Kolaylı zbuloi se vetitë antimikrobiale, që e bëjnë mjaltin një lloj antibiotiku kundër baktereve, janë shumë më të larta te mjalti i luleve nga provinca e Turqisë, sesa te mjalti Manuka.
Por edhe mjalti i gështenjave dhe mjalti i lisit në disa zona të Turqisë, treguan gjithashtu se kanë veti antibakteriale, tha Kolaylı.
Profesori, gjithashtu tha se Turqia, pas Kinës dhe Argjentinës, renditet si vendi kryesor i prodhimit të mjaltit në botë.
"Vetitë antioksiduese janë më të larta në mjaltin me ngjyrë të errët, ndërsa vetitë antimikrobike janë më të larta në mjaltin me ngjyrë të çelur",- shpjegon profesori duke shtuar se Turqia është e pasur me të dy llojet e mjaltit.