Janë të dy miq shumë të mirë prej mëse 10-vjetësh tashmë. Erion Isai dhe Bes Kallaku janë zyrtarisht jashtë spektaklit të humorit “Portokalli”, por vazhdojnë së bashku projektet artistike. Siç është mësuar së fundi, dy aktorët kanë plane për të ardhmen e tyre artistike, madje prej kohësh janë pjesë e koncerteve dhe eventeve të ndryshme, por diku i është prishur qejfit njëri për miqve.
Erion Isai ishte sot pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe, si për çudi, kishte për t’i dhënë një mesazh kolegut dhe mikut të tij më të mirë, Bes Kallaku.
Edhe pse prej 10-vjetësh, dy miqtë e ngushtë kanë ndarë bashkë çdo gjë, Besi vendosi që t’i hyjë edhe biznesit duke blerë një prej restoranteve më të mirë të peshkut në kryeqytet. Por Erioni është qejfmbetur për këtë. Ai kishte zbuluar se Besi është bërë pronar, por nuk i ka treguar. Pasi Arditi e pyeti pse është sot në “Ka një mesazh për ty”, ai tha se ka ftuar shokun e tij për t’i kërkuar llogari pse nuk i ka thënë atij për restorantin dhe, për më tepër, pse nuk e ftoi edhe atë për ta bërë bashkëpronar.
Mes një morie ankesash, pa iu larguar edhe humorit, Erioni kërkoi që Besi të ishte i ftuar në “E diela shqiptare” dhe bashkë me stafin e restorantit t’i kërkonin aktorit të ndante aksionet e biznesit. Pjesë e kësaj kërkese u bë edhe Arditi, meqenëse restoranti mban edhe emrin e tij.
Pasi Besi mori mesazhin, në fillim besoi se pas murit do të ishte Ija, gjyshja e tij, që së fundi është përfshirë nga kënaqësia për të qenë pjesë e ekranit. Por si fillim u ndesh me stafin e restorantit dhe menaxherin, i cili i kërkoi të mos shkojë më në restorant nëse ka vendosur që të qerasë të gjithë miqtë dhe të njohurit. Nëse do të vazhdojë kështu, tha ai, në fund, do të dalin me këpucë të kuqe.
Por nuk mbaroi me kaq. Besi e mori të gjithën me të qeshur, por pasi në ekran u shfaq “dashuria e tij e skenës”, siç e quajti Erion Isain, Besi u përball me një kërkesë tjetër: “A kemi 10 vjet bashkë, a i bëjmë të gjitha bashkë, skenarët bashkë, koncertet bashkë?” – e pyeti Erioni Besin dhe ky i fundit u përgjigj me një ‘Po’ dyshuese. Çfarë priste pas kësaj? “Po restorantin pse e bleve pa më lajmëruar mua?” – iu kthye Erioni, pas të cilit edhe Arditi kërkoi pjesën e vet, po 25 për qind.
Kështu, Besi, me gjasë, nuk do të ketë me 100 për qind të aksioneve, por vendosi ta ndajë me Arditin dhe me Erionin, përkatësisht të dy nga 25 për qind: “Unë ju jap zemrën, jo restorantin”, – tha Besi pasi u përball me kërkesën e tyre.
E gjithë surpriza ishte në shenjë dashamirësie dhe mirënjohjeje për Besin, i cili nuk është gjë tjetër veçse një pronar “i dështuar” e me zemër të madhe për miqtë e tij më të mirë.