Prej kohësh flitet për kalimin e kanaleve televizive nga platforma analoge në dixhitale, por tashmë AMA ka vendosur edhe datat. Sipas statusit të sotëm publik të AMA-s, ky aplikim do të nisë nga qarku i Beratit në datën 15 gusht.

"15 Gusht 2017, afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun Berat.

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, njofton se afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun e Beratit do të jetë data 15 Gusht, 2017.

Për sa më sipër, AMA tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve audiovizivë që ushtrojnë veprimtari televizive analoge në qarkun e Beratit, në marrjen e masave për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA.

Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës digjital (dekoderë universalë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 15 Gusht 2017, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në këtë qark", mbyll njoftimin Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Dekoderi është një pajisje që kthen sinjalin dixhital në sinjal analog për televizorët që marrin vetëm sinjalin analog ekzistues.

Nëse keni televizor me ekran të sheshtë që ka të instaluar dekoderin e tipit DVB-T2 nuk duhet të bëni asgjë, ndërsa nëse keni televizor të vjetër, apo televizor me ekran të sheshtë, por që nuk e ka dekoderin të instaluar, duhet të blini një dekoder të jashtëm dhe ta instaloni atë me televizorin tuaj.

Për më shumë informacion mund të lexoni online Broshurën AMA mbi Digjitalizimin e Transmetimeve Televizive që ndodhet në faqen zyrtare ama.gov.al.