Vera njihet si koha ideale për të lexuar, sepse leximi në këtë periudhë të vitit nxit dëshirën për të njohur dhe për të kuptuar më shumë. Por vera e këtij viti vjen edhe pas një periudhe të lodhshme për të gjithë për shkak të pandemisë dhe “zhdukja” për orë të tëra në rreshtat e librave mund të jetë udhëtimi më i mirë se çdo gjë tjetër të kufizuar që po na ofron edhe kjo kohë e nxehtë.

Pushimet dhe plazhin nuk mund t'i nisësh asnjëherë pa të paktën një libër me vete. Duke bërë valixhen, shumica prej nesh vihet shpesh në dilemë edhe për librat që do të marrë me vete. Veç të gjithë aksesorëve të domosdoshëm, bashkë me trendet e rrobave të banjës, në valixhe duhet të ketë patjetër hapësirë edhe për librat dhe titujt e rinj.

Nën çadër, mund të lexosh vjedhurazi dhjetëra tituj librash të cilët të intrigojnë. Ka edhe nga ata që, kush e di që kur i ke lexuar (sa mirë të vjen që ia mban mend historinë atij libri fije për pe), por ka edhe tituj që do të doje t’i lexoje me një frymë. Propozimet e këtij sezoni janë të ndryshme, por ato që vërtet nuk duhet t’ju mungojnë, i sjell për Class Aida Baro nga shtëpia botuese “Pegi”.

Unë e di pse këndon zogu në kafaz - Maya Angelou

“Unë e di pse këndon zogu në kafaz” (1969), romani i parë autobiografik i Maya Angelou-t, është shndërruar tashmë në një klasik amerikan mjaft të dashur në mbarë botën. Është një roman i hareshëm dhe i dhembshëm, i mistershëm dhe i paharrueshëm siç është vetë fëmijëria. Ai përshkruan jetën e Margaritës (të cilën, i vëllai e quan Maj, ose Maja), që nga mosha trevjeçare deri në shtatëmbëdhjetë dhe vuajtjet me të cilat përballet, përdhunimin, braktisjen nga familja, e sidomos racizmin, në Jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Majën dhe vëllain e saj më të madh, Bejlin, të braktisur nga prindërit, i dërgojnë për të jetuar me gjyshen e tyre nga babai dhe me xhaxhain ulok, në Stemps, Arkansas. Fëmijët do t’i shoqërojë drama e braktisjes gjatë gjithë librit; ata udhëtojnë vetëm dhe u vendosin në qafë etiketa njësoj si bagazheve.
Unë e di pse këndon zogu në kafaz” është një histori rritjeje dhe formimi, që tregon se forca e karakterit dhe dashuria për letërsinë mund të ndihmojnë në kapërcimin e traumave dhe racizmit. Përgjatë librit, ashtu si dhe në jetën e saj të vërtetë, Maja shndërrohet nga viktimë e racizmit me një kompleks të theksuar inferioriteti në një vajzë të re, të vendosur, me dinjitet, e zonja për t’iu kundërvënë çdolloj paragjykimi. Maja mëson se dashuria për veten, mirësia ndaj të tjerëve, shpirti i saj i fortë dhe leximi i shkrimtarëve të mëdhenj do t’i japin mundësinë të jetë e lirë dhe jo më e robëruar.

Mami, unë dhe mami - Maya Angelou

Në këtë libër autobiografik, autorja e njohur rrëfen marrëdhënien më kuptimplotë të jetës së saj: atë me të ëmën. Për herë të parë, Angelou zbulon vështirësitë dhe gëzimet e të qenit bija e Vivian Baxter-it, një shpirt i paepur në një trup të vogël. Trup imcak, që maskon praninë gjithëpërfshirëse, por të munguar, të nënës gjatë fëmijërisë së shkrimtares. Kur martesa e saj filloi të shkërmoqej, Vivian Baxter-i i dërgoi dy fëmijët (djalin e madh dhe Maya-n trevjeçare) tek e vjehrra, në Arkansas. Ndjenja e braktisjes, pasojë e kësaj ndarjeje të dhimbshme, do ta shoqëronte gjatë Angelou-n. Dhjetë vjet më vonë, bashkimi i tyre do të shënonte pikënisjen e një historie të parrëfyer më parë. Duke eksploruar një ndër marrëdhëniet më të gjalla, shpërblyese dhe të ndërlikuara të jetës, "Mami, unë dhe mami" zbulon shërimin e plotë, të bazuar në dashuri, që kërkoi kohë dhe energji, por që në fund i dha autores forcën dhe kurajën për t'u ngritur nga thellësi të oamata në lartësi të pamundura.

Nga veranda jote duket shtepia ime - Elvis Malaj

“Nga veranda jote duket shtëpia ime” është vëllimi i parë me tregime i autorit shqiptaro-italian Elvis Malaj. Në 12 tregimet e tij vërtiten dy botë sa të ndryshme, aq edhe të njëjta. Dy botë që ballafaqohen me njëra-tjetrën përmes gjuhës, botëkuptimit, emocioneve, traditës dhe risisë, të njohurës dhe të panjohurës.
Malaj rrëfen pa dorashka dhe pa klishe jetën e vërtetë të të rinjve shqiptarë në Itali dhe në Shqipëri; rrëfen për bulizmin, seksin, familjen, stereotipat, gëzimet, dhembjet, jetën e zakonshme, mospërshtatjen dhe trazimin e emigrantit, por me një këndvështrim krejtësisht të ri dhe të freskët, larg shablloneve tashmë të gatshme.
Tregimet e tij nuk përfaqësojnë thjesht të qenit shqiptar, ato janë tregime për qenie njerëzore, që vuajnë, grinden, qeshin, bëjnë marrëzira, dashurojnë dhe urrejnë.

Ringjallja e erosit - Esther Perel

Në librin e saj “Ringjallja e erosit”, Esther Perel merr në shqyrtim çështje të vështira, përballet me pengesat dhe ankthet që lindin kur kërkimi ynë për një dashuri të sigurt gjendet në konflikt me kërkimin e pasionit. Ajo na fton të eksplorojmë bashkimin paradoksal të përditshmërisë me dëshirën seksuale dhe shpjegon se ç’duhet bërë që epshi të bëhet sërish pjesë e jetës sonë.
Gjatë punës së saj thuajse 35-vjeçare si terapiste çiftesh, Perel-i ka trajtuar qindra çifte, të cilave u ka humbur flaka e pasionit. Ata vërtet duhen dhe janë të hapur me njëri-tjetrin, por sensualiteti iu është venitur. E pra, ç’po ndodh e ç’duhet bërë në këto raste?
Në këtë libër thellësisht origjinal, Perel-i shpjegon që prirjet tona kulturore për barazi, solidaritet dhe dëlirësi absolute janë krejt në antitezë me dëshirën erotike që kanë të dyja palët, si burrat, si gratë. Poetika e seksit del shpesh nga kornizat e të qenit korrekte dhe nuk zbaton asnjëherë rregullat e imponuara nga shoqëria. Ajo lulëzon përmes lojërave të pushtetit, përfitimeve të padrejta dhe në hapësirën ndërmjet vetes dhe tjetrit. Seksi mund të jetë vërtet ngazëllues, lojcak, madje dhe poetik, por së pari duhet të nxjerrim nga dhoma e gjumit idealin e barazisë dhe emocionet familjare.
Nga njëra anë, libri tregon se përse rutina e përditshme e mbyt pasionin dhe i bën çiftet të ndihen si në kafaz, nga ana tjetër, me vizionin e saj, Esther Perel-i, synon t’i çlirojë, t’i joshë e t’i provokojë ato.

Përçmimi - Alberto Moravia

Romani “Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar.
Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie. Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre.
Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern.
Më 1963, romani u ekranizua nga regjisori i njohur francez Jean-Luc Godard, me aktorë kryesorë Brigitte Bardot dhe Michel Piçoli.

Kam shumë për të thënë - Christophe Van Gerrewey

Një djalë i ri, i zhytur në plogështinë e rrethanave të pashmangshme, nis t’i shkruajë një letër ish të dashurës. Qëllimi i tij fillestar është t’i tregojë asaj sa shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ndarja e tyre. Teksa shkruan, ai fillon të kuptojë se atë letër nuk do ia dërgojë kurrë, madje fillon të fantazojë se ndoshta duhet ta botojë atë. Nga ana tjetër, dërguesi dhe marrësja e letrës marrin jetë dhe shkëputen pak nga pak nga autori. Autorja kthehet në një rrëfimtare të dytë, duke i dhënë frymë -një tjetër historie, një varianti të dytë, një interpretimi të ri të historisë së tyre. Ky akt fillimisht “hakmarrës” shndërrohet në një dialog që skicon vështirësitë e historive moderne të dashurisë. Romani duket se eksploron botëkuptimin tonë mbi dashurinë, një anë të një historie dashurie në dukje të thjeshtë, duke e shpalosur atë ngadalë e duke nxjerrë në pah kontradiktat themelore të idealit dashuror. Ky roman largohet nga normat e zakonshme të stilit apo strukturës formale dhe paraqet një thellësi mendimi, që e shtyn lexuesin të identifikohet me rrëfimtarin si të ishte një bashkautor. "Kam shumë për të thënë" fitoi Çmimin e Debutuesve në vitin 2014, në Belgjik dhe arriti ndër finalistët e disa çmimeve letrare belge. Në vitin 2016, fitoi Çmimin Europian për Letërsinë.

Libra për fëmijë

Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël - Ivana BrliÄ?-MažuraniÄ?

“Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël”, botuar për herë të parë më 1913, është një prej klasikëve të letërsisë kroate për fëmijë, shkruar nga Ivana BrliÄ?-MažuraniÄ?.
Hlapiti i vogël është shegert në punishten e këpucarit Vetullngrysur, usta i egër dhe i zymtë, i cili sillet keq ndaj vogëlushit. Kësisoj, djali vendos të krijojë një jetë të re, largohet nga punishtja dhe ndërmerr një rrugëtim prej shtatë ditësh, gjatë të cilave do të hasë shumë njerëz të jashtëzakonshëm dhe do të bëjë aventura nga më të çuditshmet. Ai mendon se duhet të ndihmojë këto që ndesh në udhë, që nga një shitës plak qumështi e deri te një vajzë e vogël, me emrin Gita. Së bashku me Gitën dhe qenushin e tij, Bundash, ai përshkon fusha e fshatra të tëra, duke i prishur planet një kusari të keq e duke ndihmuar dikë tjetër të kthehet në rrugë të mbarë. Kur je djalosh zemërmirë dhe nuk i trembesh punës së vështirë nuk ka gjë që s’mund ta arrish.
Në këtë libër, gjithkush mund të gjejë diçka për veten: është historia e një jetimi, një përrallë aventurash dhe udhëtimesh, mirësie dhe dashurie.

Tre ujqit e vegjël - Evjenios Trivizas

"Tre ujqit e vegjël" është, në fakt, një përmbysje e versionit të përrallës "Tre derrkucat e vegjël", një legjendë tradicionale e botuar për herë të parë në shekullin e 19-të.
Të gjithëve u kujtohen ‘’Tre derrkucët’’ e famshëm dhe aventurat e tyre për të ndërtuar një shtëpi të bukur e të sigurt për t’i shpëtuar ujkut të pabesë dhe dinakërive të tij. Kësaj radhe, rolet janë ndryshuar. Tre ujqit e mirë janë ata, që duhet të gjejnë lloj-lloj mënyrash për t’i mbijetuar ligësisë së Runi-Runit, derrit të keq e dinak. Rrëfimi përfshin disa prej kafshëve të xhunglës, të cilët ndihmojnë tre vëllezërit ujq dhe qasja e përrallës me sendet e jetës moderne të përditshmërisë e bën eksperiencën e leximit argëtuese, po aq sa të mbushur me mësime të bukura. Ky libërth përcjell mesazhe dashurie, paqe e mirësie.

Nuk jam një supermiush - Jeronim Stilton (36)

Jeronim Stiltoni është një prej personazheve më të dashura për fëmijët, si në Itali, në vendin e tij të origjinës, ashtu dhe në gjithë botën. Ai është një miush frikacak në pamje të parë, por kur vjen çasti për t’u përballur me vështirësitë, arrin t’i kapërcejë ato. Jeronim Stilton do të përballet me një kurs mbijetese në kushte ekstreme. Atij i duhet të kalitë guximin dhe do të përballet me kushtet e shkretëtirës, të xhunglës, shpellave e hapësirave të mbuluara nga akulli. A do të arrijë Jeronimi të bëhet supermiush?

Top modele për një ditë - Tea Stilton (1)

Jemi grupi Tea Sisters. Studiojmë në kolegjin e Miushofordit. Na pëlqejnë aventurat e misterit! Jemi shoqe shumë të veçanta, madje më shumë se shoqe… motra. Në Miushford ka një ecejake të madhe studentësh, që japin e marrin me pëlhura shumëngjyrëshe, kapela, aksesorë dhe veshje të çdo lloji. Çfarë po ndodh? Fare e thjeshtë: po përgatitemi për paradën e madhe të modës së fundvitit…