Ai mund të jetë lindur para mijëra vjetësh. E ka kaluar fëmijërinë duke u larë në liqen. Ka qenë gjithmonë pranë lumit. Mund të kishte qenë Gihoni, por ka qenë Drini dhe pse, në buzë të tij, kish mbërritur fjala Shalom, emri i grupit të njerëzve që organizonin aktivitete artistike në Vaun e Dejës, ku Robert Bisha ishte pjesë, që fare i ri.
Roberti mund të jetë një mijë vjeç. Është gati t’i bëjnë një pikturë, por zhduket diku. Dhe flet që andej. Nuk fshihet, përkundrazi, por në vend që të pozojë, flet. Ka vendosur që dikush ta pikturojë pa e parë. Duke e dëgjuar. Mund të ndodhë edhe kështu.
Ose vendos të komunikojë më shumë, duke treguar më pak.
Të gjitha këto, gjithsesi, janë forma komunikimi që paralajmërojnë koncertin, që në një çast mvishen nga heshtja, për të nderuar tingujt.
Në koncert do të interpretojë krijime të tij. Përjetime. Tingujt duket sikur dalin nga instrumentet e Jubalit, bëhen 600, 300 vjeçarë... Telat vibrues, fyelli, goditja ritmike… Robert Bisha, luan në disa instrumente muzikorë. Edhe kur luan vetëm në piano.
Te “Ritual Moods”, ai sjell tingujt e çiftelisë në piano. Merr një hark. Apo një makinë rroje. Një send çfarëdo, por jo të rastësishëm. Kërkon muzikën. Si të ishte në kohën kur ende nuk kishte instrumente, veç drurë, metal, shpirt... dhe frynte erë. Duket sikur kërkon të unifikojë komunikimin shumë shekuj pasi janë krijuar dhjetëra e dhjetëra instrumente, dhe pse pa një Kullë Babeli për ta shënuar atë çast. Të kthehet në origjinën shpirtërore. Dhe ta krijojë, si i pari mbi botë, melodinë.

Prek pianon. E lë. Merr harkun. Tastiera pret. Jo… Ai nxjerr tinguj prej pianos pa ia prekur tashmë tastet. Tensioni rritet, frymëmarrja shpeshtohet, lëkura është e nxehtë. Vetëm fildishi i bindet fizikës, ftohtë.

Gjithçka i bindet fizikës në të vërtetë. Gjithçka është fizike. Artisti në mes të skenës është duke bërë një ushtrim. Një ushtrim si ato që kryen çdo ditë, por që nuk ka tingëlluar e nuk do të tingëllojë kurrë kështu. Struktura gjeometrike nis të mbushet gjatë performimeve live, me këngë të shkurtra të improvizuara, me intervale tipike të folklorit, por që në folklor mund të gjejnë vend ndoshta pas ndonjë shekulli. Ai në atë kohë mund të duket si një profet. Dhe i jep tingull profecisë së tij. Kush ka vesh le të dëgjojë… Skeleti bëhet i gjallë nëpërmjet përjetimit, merr formë, ndërsa pianoja shformohet, bëhet fije-fije në muzikë.
Ndoshta tastet e pianos, nuk qëndrojnë të ftohtë, vetëm prej fizikës, por edhe prej përvojës. Ato e kanë mësuar tashmë që gjithçka vendoset në kohën e interpretimit. Nga Roberti. Është ai që drejton. Duket se kjo është marrëveshja që marrëdhënia e tyre të funksiononte, që kur ai nisi të mos mjaftohej me të, duke kërkuar kitarën, fizarmonikën, trombën, flautin, defin…
Piano apo kitarë?- do e pyesnin në Ferrara kur u largua nga Shkodra në moshën 16 vjeçare.
Të dyja,-do jepte për herë të parë ai, këtë përgjigje të paarsyeshme, por ashtu u bë.
Një marrëdhënie paksa e veçantë mes tij dhe pianos. Ai e trajton ndryshe, ajo iu dorëzohet me besim duarve kurioze. Një fanatik mund të skadalizohej. Si një anatomist, i zbulon nervat dhe muskujt. Ajo ka humbur shkëlqimin e lëkurës, siluetën klasike, por ai është shumë pranë saj për ta parë të gjithën. Është i fokusuar në pjesë të saj. Duket sikur nuk e nderon pianon. Në të vërtetë kulti i tij është muzika. Duket sikur e harron me kë është. Por në të vërtetë, ata janë, të dy, instrumente në atë çast, janë një instrument përcjellës. I mbushur me muzikë. Impulset qarkullojnë pa ndërprerje, në muskuj dhe në fije metalike. Dhe ai e përjeton muzikën, e krijon, e përjeton sërish.
Këtë bën edhe kur studion muzikë të zhanreve e epokave të ndryshme, klasike, bashkëkohore, folklorike... E ka magjepsur iso-polifonia e Jugut dhe pse është rritur me këngë qytetare veriore… " Kur diçka të tërhek, të tërhek. Më tërhek një variacion i vogël, një mënyrë të këndumi, më tërhek që ka kaq shumë dinamika, kaq shumë eksperiment pa vullnet studimi dhe eksperimentimi, por që lind...” Dhe i është afruar, i tërhequr fort, por i kujdesshëm për të mos u zhytur në studim, që mos të humbasë ndjeshmërinë, i afrohet duke ecur në ekuilibër, në atë që trupi e arrin me ushtrime dhe mendja me disiplinë. Me dëshirën kryesore “me e përjetu”.
Për këtë arsye, edhe kompozimet e tij interpretohen nga Albanian Iso-Polyphony Choir, jo nga njerëz që e kanë studiuar folklorin, por “që e kanë përjetu, në trup, në muskuj”.
Kjo përvojë e kohëve të fundit, prezantuar më parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në maj të vitit 2015, nuk e ka larguar Robertin nga këngët e Veriut. Ato do të jenë pjesë e projektit tjetër. Përveç faktit që janë të pranishme te muzika e tij solo, nota epike, që ai nuk i kërkon, por i ka me vete. Bisha nuk ndalet. Qëllimi është udhëtimi, zbulimi, shtyrja më tej e atij që e kujtoje kufi. Folku shqiptar, "pagan e mistik", por dhe i gjithë botës e fton ta eksplorojë. I gjithi është një udhëtim në mistikën e muzikës, muzika është feja e tij, kujtesa gjenetike, zbulimi, dashuria.

Nëse do i vendosje kufij, do ishin kufijtë e saj, kështu që ai nuk do i takojë ndonjëherë. Dhe udhëtimi vazhdon. Ai bën çdo ditë një copë rrugë me stilin e jetës që ndjek. Kur nuk ka koncerte nëpër Evropë dhe botë të menaxhuara nga Ballkan World Music Management dhe ndodhet në shtëpinë e tij të dytë, Ferrara, studion, me orë të tëra…
Studimi në radhë të parë është teknika, si tregon ai, pastaj fillon studimi konceptual i një pjese, mund të jetë klasike, bashkëkohore… merr disa partitatura, i lexon, disa nga ato i analizon nga pikëpamja e arkitekturës së pjesës, e harmonikës, e hapësirave të timbrikës etj., etj.. Aktualisht është duke vënë nën gishta, në piano, “Vingt regards sur l'enfant-Jésus” të Oliver Messiaen. Pastaj pushon.
Pushimi për të do të thotë shkëputje nga studimi, por jo braktisje e misionit prej një lloj murgu të muzikës. Sepse ai niset bashkë me memorien vizive. Mund të vrapojë, të shëtisë, bën ca ushtrime fizike, takon ca miq, shkruan ndonjë mendim, meqë fjalët e pashkruara fluturojnë që prej kohës kur, në vendin ku ai jeton, flitej latinisht e prej shumë kohësh … Informacioni i fiksuar tashmë përpunohet dhe kur ulet të shkruajë në pentagram është ndryshe. “Ndodh diçka…Më vonë shoh aty një pasqyrë të vetes, estetikën e asaj kohe dhe shoh a ka diçka të re te ajo pjesë…”
Dhe kështu vazhdon. U ikën mekanizmave dhe takon anë të ndryshme të vetes. Aty gjithmonë mund të takosh diçka të re ose t’i gëzohesh zbulimit të diçkaje të vjetër. Nëse do numëronte disa nga ngjarjet më domethënëse që kanë lënë gjurmë te kjo vete, janë nisja drejt Italisë në moshën 16 vjeç, pa e menduar dy herë, takimet me personazhe të rëndësishme, njerëz “që janë kthyer në atë kohë, në pasqyrë të vetes”, leximet e rëndësishme… ende kujton ndikimin e “Archetipi”-t të Elemire Zolla dhe ca teksteve të tjera që zhyten në mënyrën e hapur e të mbyllur të të treguarit të tij, si një sipërfaqe me dallgë.
Ka mësuar të mos i mungojë shtëpia, sepse ka gjetur shtëpinë edhe në Ferrara, qytetin matanë detit, ku nuk rrjedh qumësht e mjaltë, por muzikë e verë e mirë, me Konservatorin ku është diplomuar për pianoforte klasike, me Duomo-n, me “enotekën më të mirë në botë” fare pranë, ku Roberti ka punuar e cila është tashmë familja e tij e dytë.
Ai nuk është shkëputur nga vendi i tij, përkundrazi, ndien atë lloj patriotizmi të mirë për t’ia dashur të mirën, por ka kuptuar që nëse një vend, kudo që të jetë, u përgjigjet kërkesave të tua, ai të do, siç ka bërë Ferrara me të, “ashtu si një vendi, që nuk të jep mundësitë e duhura, është pak e vështirë t’i përkasësh deri në fund. I përket sigurisht, por ne i përkasim Tokës, është e kotë që t’i përkasim një vendi… ne kemi identitet, kemi vlera që stampohen në vitet e para të jetës, por më pas kulturën, edukimin mund ta marrësh kudo dhe për këtë arsye largohemi, shkojmë diku tjetër dhe ato vende mund të na përkasin po aq.”
Vetëm se…sa herë mendon për ujin, kujton liqenin e Vaut të Dejës. Dhe “sa herë kam nevojë për qartësi, për të qartësuar diçka në jetë, në mendimet e mia, mendoj përsëri atë liqen”.
Do të kthehet atje, por dëshiron që ai kthim të jetë sa më funksional. Ka menduar që bashkë me shokë të tjerë instrumentistë të veglave të ndryshme të shkojë e të japë ca mësime falas për fëmijët e zonës…Edhe ta mendosh duket bukur. Mes maleve, pranë ujit dhe një grup njerëzish që dishepullizojnë muzikën. Mund të quhen sërish Shalom, Pace, Paqe…pa u shqetësuar, sepse që kur gjuhët u përhapën mbi tërë dheun, muzika na u la e njëjtë dhe atje, pranë liqenit, ashtu si në sallën “Shakespeare” të Teatrit Metropol, në orën 20.00 të 7 prillit apo kudo tjetër, me muzikën mund të shkohet deri në origjinë të botës.
