Kjo ishte me siguri rruga më e mundimshme e një kënge drejt Eurovizionit, por tani gjithçka është pranë finalizimit. Elhaida Dani sapo ka përfunduar xhirimin e klipit të këngës “I’m Alive”, i cili është regjistruar gjatë këtyre tri ditëve në Tiranë. Videoja duhet të shfaqet në 15 mars dhe në 14 ajo do regjistrojë variantin final të këngës në anglisht. “Do e hedh zërin në ditën e fundit të afatit që kemi për ta dorëzuar. Në të vërtetë gjithçka është realizuar në kohë rekord për këtë këngë. E gjitha brenda tri javëve”, thotë ajo, duke na sjellë ndër mend ato që nuk i kemi harruar, debatet, kundërshtitë e rrëmujën e përcjellë në media pasi u mësua që në Eurovizion nuk do të shkonte kënga “Diell”, por një tjetër.
Sigurisht kalvarin e ngjarjeve dhe përjetimeve e ka kaluar më shumë sesa kushdo tjetër Elhaida, por këto tri javë punë, për të realizuar këngën e re, kanë qenë terapia më e mirë për t’i hedhur pas krahëve të gjitha. “Është një këngë nga ato që të mbushin me optimizëm dhe shpresë, gjithë ndjenjat që të dhuron dashuria… flet për një vajzë që pret dashurinë e saj e bindur që do të vijë, një baladë pop, moderne, por dhe me ndonjë element etnik jo si qëllim në vetvete, por që ka lindur vetvetiu duke qëndruar në mënyrë të përsosur në atë pjesë të këngës, nga ato këngë me të cilat do të zgjohesh në mëngjes”. Dhe nëse njerëzit do e zgjidhnin si këngën e zgjimit do të thotë që dozën e optimizmit ky krijim i Zzap & Chriss, Arbër Elshanit dhe Kris Lekaj që kanë shkruar muzikën dhe Sokol Marsit, që ka krijuar vargjet, e ka vërtet të fortë…
Ndërsa për sa i përket videos, Elhaida ka dashur të sjellë një klip që shkrihet me melodinë, por nga përmbajtja mund të qëndrojë edhe si një krijim më vete sepse përcjell mesazhe sociale. Në fund të këngës mesazhet hyjnë nga dy dyer, nga ajo e tekstit të mbushur me dashuri dhe e videos që përcjell forcën e gruas. Është produkt i stafit të Radio Televizionit Shqiptar, Provideos dhe stafit të Elhaidës nga Italia, të cilët shumë mendje, shumë gjuhë e një shpirt arritën të shkriheshin mrekullisht në këtë projekt. “Nuk doja një video të thjeshtë që të ishte përkthim i tekstit në figurë, doja që dhe videoja të përcillte mesazhe sociale. Në qendër të saj është gruaja. Ka gra të profesioneve të ndryshme, në situtata të ndryshme: një gazetare, një zjarrfikëse, një police…Mua nuk më pëlqen pabarazia dhe ndjej adhurim për ato gra që bëjnë punë të ashtuquajtura mashkullore. Në klip, ato shfaqen në fillim me një shprehje të pikëlluar që tregon vështirësitë dhe pengesat që kanë, ndërsa ngjarjet zhvillohen pas shpinës së tyre dhe ato pëshpërisin nga një varg nga teksti si “I’m Alive”, apo “You give me hope”. Zgjidhja vjen në fund me mua që shfaqem në skenë duke realizuar atë që është ëndrra ime, duke kënduar dhe mbyllet me ne të gjitha që buzëqeshim, një mbyllje optimiste që tregon që ne femrat jemi të forta dhe ia dalim pavarësisht vështirësive”.

Për look-un e saj, që transformohet nga një skenë e videos në tjetrën, është kujdesur Class Make Up & Hairstyle dhe kuruesja e imazhit Miranda Dupi, e cila me zgjedhjet e saj unike dhe në bashkëpunim me këngëtaren ka realizuar disa kombinime moderne që theksojnë potencën e protagonistes. “Kënga është një baladë, por veshjet kam dashur që të jenë të forta, sepse ato i shkojnë karakterit dhe vokalit të Elhaidës”, thotë Miranda Dupi, e cila bashkë me Orsola Memën e Class Photography, që ka realizuar fotot zyrtare të klipit, është pjesë e asaj skuadre të madhe njerëzish që dhe pse nuk duken, janë pjesë e rëndësishme e këtij projekti dhe që do vazhdojnë ta shoqërojnë Elhaidën deri sa të vijë dita e konkurrimit në Vjenë, më 19 maj.





Këtu sapo kemi përmendur një fjalë delikate. “Tani më kanë kapur emocionet”, duket sikur dorëzohet paksa Elhaida, që gjithmonë ruan një pamje të qetë e të tërhequr, e gatshme për ta thënë fjalën e saj vetëm në skenë. Mirëpo ato që e paraprinë pjesëmarrjen e saj në Eurovizion, kanë bërë të vetën. “Pas gjithë asaj që ndodhi, më duket sikur sfida është bërë më e fortë për mua, sikur kënga ka një detyrë më të vështirë sesa zakonisht për të arritur në zemrat e dëgjuesëve”. Nuk mund të mos e prekte atë vetë, vorbulla e papritur ku ra kënga, melodia e planet dhe, për t’u ringritur me një këngë të re, nuk ka qenë aq e thjeshtë sa të shkruash statuse në Facebook. Sepse askush, veç saj, nuk e di sa të vështira ishin ditët nga tërheqja e këngës së parë, deri në vendimin që në Eurovizion, do shkonte po ajo. “Nuk ka qenë e lehtë. Unë e di që në Shqipëri, mjafton një gjë e vogël për të humbur shumë mbështetës dhe nuk mund të mos e ndieja këtë. Megjithatë unë u gjenda në këtë situate dhe nuk kisha si të dilja. Kompozitori më lajmëroi në një ditë shkurti, që kishte vendosur, për shkak të disa mosmarrveshjeve brenda stafit, ta tërhiqte këngën dhe nëse ne do vijonim me atë këngë, çështja do çohej në gjykatë. Unë e di mirë që në këtë profesion do ketë gjithmonë kontradikta, por të them të drejtën, nuk kisha aspak dëshirë që gjërat të shkonin deri në gjykatë. Mendova që ëndrra ime për Eurovizion mbaroi aty dhe me të vërtetë nuk jam ndjerë aspak mirë sepse unë e kam dashur shumë këtë pjesëmarrje. Pas dy ditësh, shumë të vështira për mua, më telefonoi drejtori i RTSH-së, Martin Leka, që është treguar shumë i sjellshëm dhe më tha që në bazë të rregullores dhe komunikimit me stafin e Eurovizionit, kishin vendosur që nuk kishte arsye pse të penalizohej këngëtarja dhe autori i tekstit, kur nga kënga ishte tërhequr vetëm një e treta e saj, kompozitori. E dija që do të kishte debate dhe për një çast ngurrova të pranoja”. Është vetëm 22 vjeç dhe teksa gjithë këto zhvillime precipitonin, ajo e vetme në Itali, kishte vërtet nevojë për të pasur pranë prindërit e për të folur me ta. Ndoshta po ta merrte vetë vendimin, përgjigja do të kishte qenë jo, por ja që familja nuk e la vetëm me shqetësimet e saj. “Kisha shumë nevojë për prindërit e mi, sidomos për babin që ka qenë gjithmonë mbështetës dhe ai më tha që vështirësitë për mua nuk ishin gjë e re, sepse pjesëmarrjet e mia kanë shkaktuar debate si në “The Voice” në Itali, apo dhe në “Top Fest”. Më tha që ndoshta kjo ishte një shenjë dhe që nuk duhet të mposhtesha sepse kjo rrugë do kishte gjithmonë vështirësi, por këto do më bënin më të fortë për të përballuar të tjerat. Më tha vërtet kështu, duken si fjalë filmash, por në të vërtetë ishin fjalët e tij dhe ato më bënë që të pranoja”.
Do të ishte përsëri një anëtër i familjes, i vëllai që do t’i fliste për Zapp and Chris që kishin kompozuar këngën e Lindës dhe që ishin shumë të talentauar. “ Menjëherë të nesërmen shkova në Kosovë për të punuar për këngën. Është kënga e parë ku kam qenë e pranishme gjatë gjithë procesit dhe ka qenë shumë bukur”, thotë ajo. E realizuan të gjithën për një fundjavë, sepse edhe nuk kishin shumë kohë për të humbur. Më pas, ajo ka udhëtuar në 3-4 shtete për projektet e saj muzikore, të cilat i janë mbivendosur punës për këngën “I’m alive”.

Tashmë që ka përfunduar xhirimet e klipit, do të bëjë vetëm një ditë pushim për të çlodhur pak kordat dhe trupin e do të niset në Shkup për të regjistruar zërin. Më pas, do të nis turneu i promovimit të këngës në media të ndryshme për të mbërritur në përgatitjet për natën e parë të Eurovizionit, ku Elhaida do të këndojë e 14-ta. “4-a është numri im me fat”, thotë ajo për ta mbyllur me pozitivitet rrëfimin për këtë rrugëtim që nuk ishte aspak i thjeshtë. Megjithatë, në fund, pas lëkundjeve mediatike dhe atyre brenda saj, ëndrra për në Eurovizion, ashtu si ëndrrat e grave në klip, apo shpresa e vajzës që pret dashurinë, është Gjallë!
Na mbetet vetëm të presim majin, por ngacmimin do e marrim që në 15 mars me videoklipin.