“Burn out”-i prindëror është një gjendje ezaurimi emocional, fizik dhe mendor që prek shumë prindër, shpeshherë në heshtje si një peshë që rritet çdo ditë e më shumë.
Kjo dukuri manifestohet kur nëna ose babai të mbingarkuar nga rutina e pandërprerë e kërkesave dhe përgjegjësive rrezikojnë aftësinë për të provuar kënaqësi apo sadisfaksione të formave të ndryshme në aktivitetet e përditshme të lidhura pikërisht me fëmijët e tyre. Është si një flakë që shuhet dalëngadalë duke lënë kështu vetëm lodhje dhe zemërim.
“Burn out prindëror” është një realitet gjithnjë e më shumë në shtrirje gjeografike dhe statistikore për shkak dhe të jetës dinamike që njerëzit sot jetojnë. Presioni i përditshmërisë, e ndërthurur dhe me menaxhimin e shtëpisë, të punës dhe të fëmijëve, duke krijuar kështu një mjedis ku lindin vështirësitë. Sipas disa studimeve, një numër në rritje i prindërve ndihen të izoluar, të ezauruar dhe të paaftë për të menaxhuar emocionet e tyre.
Ndërkohë që idealizimi i prindërve të ushqyer nga modelet e ofruara në rrjetet sociale, ka ndikuar negativisht në rritjen ndjesisë së vetmisë dhe pamjaftueshmërisë.
Të përballosh burn out-in prindëror kërkon mirëkuptim dhe një vetëdije të plotë. Është e rëndësishme të njohësh sinjalet dhe mbi të gjitha të mos e ngarkosh veten me faj. Të gjesh kohën për momente pushimi, ti kërkosh ndihmë familjarëve dhe të mësosh të delegosh sa të mundesh gjëra që mund të ti përmbushin edhe të tjerët, tregon se mund të jeni në rrugën e duhur.
Të kujdesesh për veten edhe përmes disa gjesteve të vogla të përditshmërisë, është një hap i rëndësishëm për të rigjetur energjitë dhe qetësinë shpirtërore.
Nuk është një shenjë dobësie por një thirrje për ndihmë që kërkon vëmendje dhe mbështetje.
Ndoshta është mire ta kujtojmë më shpesh: Të jesh prind, është një nga eksperiencat më të bukura por edhe më sfidueset njëkohësisht. Pikërisht për këtë, një fjalë e mire mund të bëjë gjithmonë ndryshimin. Për ne dhe për ata që na rrethojnë!