Sipas mjekëve specialistë, hemorragjia nga mitra mund të ndodhë edhe kur ju nuk jeni me menstruacione. Kjo është një shenjë e cila gjithmonë shkakton shqetësim tek secila grua, pa marrë parasysh moshën e saj. Hemorragjia e cila ndryshon nga menstruacionet normale është një shenjë alarmi.
Gjatë ciklit menstrual zhvillohen disa folikula dhe normalisht vetëm njëri nga këta rritet më tepër. Në ditën e katërmbëdhjetë të ciklit nga ky folikul lirohet qeliza vezë. Nëse kjo qelizë vezë bashkohet me spermatozoidin, atëherë vjen shtatzënia. Nëse qeliza vezë nuk bashkohet me spermatozoidin, atëherë shtresa e brendshme e mitrës (endometriumi) shkolitet dhe shfaqet gjakrrjedhja menstruale. Normalisht secila grua gjatë moshës reproduktive i ka menstruacionet çdo 21 deri 35 ditë, menstruacionet zgjasin 2-7 ditë dhe vëllimi i gjakut është rreth 80 mL. Është vështirë që të matet vëllimi i gjakut që humbet, por konsiderohet normale nëse i përdorni jo më shumë se tetë binde në ditë dhe nëse gjakrrjedhja është e shprehur jo më gjatë se dy ditë.
Për të emërtuar gjakrrjedhjen e çrregullt nga mitra përdoren këto terma:
Menorragjia hemorragji e shtuar (mbi 80 mL) dhe e zgjatur menstruale (mbi 7 ditë).
Metrorragjia është hemorragjia që shfaqet në intervale jo të rregullta, zakonisht midis menstruacioneve.
Menometrorragjia është kombinim i të dyjave, domethënë ka hemorragji të shtuar menstruale dhe hemorragji në intervale jo të rregullta.
Është shumë e rëndësishme që të zbulohet se cili është shkaku i hemorragjisë, të zbulohet origjina e hemorragjisë (a është nga mitra, vagina apo nga ndonjë organ tjetër) dhe më pas të merren masat për ta ndalur këtë hemorragji.
Shkaqet
Hemorragjia e çrregullt nga mitra shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Shkaku më i shpeshtë është shtatzënia. Gjakrrjedhja mund të shfaqet për shkak të polipeve ose miomëve. Më rrallë, shkaktohet nga problemet me gjëndrën tiroide, infeksioni ose kanceri i qafës së mitrës.
Te shumica e grave, shkaku i hemorragjisë është çrregullimi hormonal. Ky çrregullim është shumë më i shpeshtë tek vajzat e reja dhe tek gratë të cilat janë afër menopauzës. Te femrat e reja shkak i shpeshtë i hemorragjisë është shtatzënia. Shumë gra kanë hemorragji në fillim të shtatzënisë.
Gjatë shtazënisë kjo shkaktohet nëse nuk ndodh ovulacioni. Ovulacioni është lirimi i qelizës vezë gjatë ciklit menstrual. Nëse nuk ndodhë ovulacioni, atëherë prodhohet vetëm estrogjeni. Estrogjeni është hormon, i cili e bën shtresën e brendshme të mitrës (endometriumin) më të trashë. Për shkak të prodhimit të vazhdueshëm të estrogjenit, shtresa e brendshme trashet shumë dhe si rrjedhojë vjen deri te gjakrrjedhja e shtuar. Çrregullimet e ovulacionit janë më të shpeshta tek adoleshentet dhe tek gratë të cilat janë afër menopauzës. Trashja e shtresës së brendshme të mitrës tek gratë midis 40 dhe vjeç është një shenjë e cila duhet hulumtuar. Kur endometriumi është i trashë, gjithmonë duhet të përjashtohet mundësia e pranisë së kancerit të endometriumit. Nëse jeni në këtë grupmoshë dhe keni hemorragji të çrregullt nga mitra, patjetër duhet të konsultoheni me gjinekologun. Kjo hemorragji mund të jetë pjesë normale e zhvillimeve në organizmin tuaj për shkak të moshës, por është shumë me rëndësi që të përjashtohet mundësia që hemorragjia vjen për shkak të kancerit.
Ekzaminimet
Për të zbuluar shkakun e hemorragjisë së çrregullt nga mitra mund të bëhen disa analiza dhe ekzaminime, gjë që varet nga mosha që keni. Patjetër duhet të bëhet një ekzaminim me eko për të parë mitrën dhe vezoret. Mund të jetë e nevojshme që të bëhet biopsia e endometriumit. Kjo është një procedurë e padhembshme gjatë së cilës një tub i hollë plastik futet brenda në mitër dhe përmes tij merren disa qeliza endometriale, të cilët më vonë analizohen nën mikroskop.
Një ekzaminim tjetër që mund të bëhet është histeroskopia. Histeroskopi është një gyp i hollë i lidhur me kamerë, e cila futet brenda në mitër. Me histeroskop shihet brendia e mitrës dhe nëse shihet diçka jonormale mund të korrigjohet gjatë kësaj procedure. Ka disa mënyra të trajtimit të hemorragjisë së çrregullt nga mitra.
Trajtimi varet nga shkaku i hemorragjisë, nga mosha që keni si dhe nga fakti se a doni apo jo të mbeteni shtatzënë.
Trajtimi
Një nga mënyrat e mjekimit janë pilulat kontraceptive. Këto pilula kanë hormone të cilat bëjnë që endometriumi të jetë i hollë. Njëkohësisht cikli menstrual rregullohet dhe dhimbjet menstruale janë më të vogla. Ka disa lloje të këtyre pilulave, prandaj patjetër duhet të konsultoheni me gjinekologun para se të vendosni të merrni këtë mjekim.
Mënyrë tjetër është vendosja e spirales brenda në mitër. Ekziston një lloj i spirales, e cila liron hormone dhe rrjedhimisht në mënyrë të konsiderueshme e zvogëlon hemorragjinë.
Histerektomia është një operacion gjatë të cilit hiqet mitra. Kur hiqet mitra, një grua nuk do të ketë më hemorragji dhe nuk do të mund të mbetet shtatzënë. Histerektomia është operacion madhor, i cili kryhet nën anestezi të përgjithshme dhe pas të cilit duhet të qëndroni për disa ditë në spital.
Ablacioni i endometriumit është një procedurë kirurgjike gjatë së cilës shkatërrohet endometriumi. Për dallim nga histerektomia, gjatë kësaj procedure nuk hiqet mitra. Pas dëmtimit të endometriumit shumica e grave nuk do të kenë menstruacione, ndonëse disa mund të kenë hemorragji të lehtë.
Edhe pse pas heqjes së endometriumit shanset për shtatzëni janë të vogla, megjithatë gjinekologu do t’ju rekomandojë metodën e duhur për t’u mbrojtur nga shtatzënia (zakonisht pas shkatërrimit vendoset spiralja Mirena, e cila liron hormone).
Nga revista Vital, botim i Spitalit Amerikan