Krisa Çaushi ka qenë e ftuar në UëTëFë Show nga Andale Media, ku për herë të parë ka ndarë arsyet dhe përjetimet e saj pas largimit nga RTSH, një vendim që ajo e cilëson si të diktuar nga një situatë të pasigurt dhe të menaxhuar në mënyrë të papranueshme.

“Mund ta nisim që kur unë moderoja me Ardit Muratajn ‘Mëngjesin’. Thjesht Arditi nuk ra dakord për disa pika të kontratës dhe menjëherë iu tha që ‘nëse nuk pranon, ik, nuk na intereson’. Menjëherë ditën tjetër, erdhën moderatorët e rinj,” u shpreh Krisa, duke shpjeguar se gjithçka nisi me ndryshimet e papritura në programin që ajo moderonte.

Ajo rrëfeu gjithashtu se edhe ajo vetë nuk kishte një ide të qartë për fatin e saj në program. “Mua m’u tha deri një ditë para që ‘do jesh ti me një moderator tjetër’, që është aktualisht, më pas u ndryshua. Unë kam marrë vesh dhe shumë gjëra më pas, nuk e di sa të vërteta janë, po më kanë thënë që ishte vendosur me kohë që ne do iknim,” shtoi ajo.

Në lidhje me situatën pas largimit, Krisa u ndal te mënyra se si ishte menaxhuar nga drejtoresha e RTSH-së, Aurora Polo. “Kur drejtoresha aktuale… s’mund ta quajmë drejtoreshë se nuk është… mori postin e përkohshëm aty, menjëherë filloi punët e saj për të ndryshuar gjithë RTSH-në, që sa kishte nisur të ngrihej dhe emisionet realisht kanë qenë shumë të suksesshme,” tha Krisa, duke kritikuar drejtoren për veprimet e saj të pamenduara që i kishin shkaktuar shumë pasiguri kolegëve të saj.

Ajo gjithashtu e cilësoi situatën si një “luftë” dhe kritikoi drejtoren për stilin e menaxhimit, duke theksuar se ishte një periudhë shumë e vështirë për të. “Është bërë një luftë, njeri me bipolar se ajo… nuk di. Tashmë ka ardhur momenti që të reagojnë të gjithë. Po reagoj dhe unë,” tha Krisa, duke iu referuar kolegëve të saj që kanë kaluar në të njëjtën situatë të pasigurt.

Për Krisën, largimi nga RTSH nuk erdhi vetëm për shkak të ofertës së re nga Big Brother, por si një vendim për të mbrojtur veten. “Një nga arsyet pse jam larguar nga RTSH, përveç Big-ut që më dha ofertën, ishte sepse ishte bërë një ambient toksik. Një ambient ku unë nuk po ndihesha më e sigurt në punën që po bëja,” theksoi ajo.

Krisa e përshkruajti situatën si një periudhë të vështirë dhe të pasigurt, duke shtuar: “Nuk mund t’i heqësh njerëzit në atë lloj forme. Ka qenë një periudhë shumë e keqe për mua dhe nuk dija çfarë të bëja.” Ajo gjithashtu përmendi ndërhyrje të përsëritura që dëmtonin jo vetëm përgatitjet, por edhe imazhin publik të programit. “Aq herë na e ka kthyer datën e publikimit të programeve, sa edhe me të ftuarit u ‘fëlliqëm’. U ul çmimi, më hoqën gazetaren, ndryshonin datat. E gjitha që të ikje vetë nga puna, jo të të pushonin, që mos të kishe arsye ta hidhje në gjyq,” shpjegoi Krisa.