Mario Dedivanoviç është nderuar dje me çmimin "American Influencer Awards” për vitin 2019. Në një fjalim të gjatë dhe prekës, ku herë pas here ka shpërthyer në lot, ai ka treguar historinë e jetës së tij dhe ka pranuar për herë të parë se është gay.
Fjalimi i Marios është paraprirë nga një fjalim i Kim Kardashian, e cila foli për marrëdhënien e saj të ngushtë me grimierin, për miqësinë e tyre 11-vjeçare dhe zënkave si një motër e vëlla. Ajo u shpreh se i detyrohet për atë që është sot. Para se t’i dorëzonte çmimin, Kim kishte prezantoi një video surprizë për Marion, ku shfaqeshin e ëma, motra dhe vëllai i tij.
“Ishte 17 vjeç dhe mendonim se thjesht shiste make up. Derisa një ditë po kërkoja për diçka në dollapin e tij dhe pashë një kuti, e hapa dhe pashë produkte make up-i. Duke qenë se u rritëm në një familje shqiptare tradicionale ishte shumë e vështirë sepse ishim rritur me disa rregulla dhe e dija që nëna ime do të mërzitej ose do të vihej në siklet nëse merrte vesh që im vëlla mbante produkte grimi. E pyetëm se çfarë ishte ajo kuti dhe na e tha hapur që ishin produktet e tij dhe se dëshironte të merrej me make up. U munduam ta bindnim që mos ta bënte, por ai thjesht mori kutinë dhe u largua. U largua me ëndrrat e tij në duar, e vetmja gjë që mori ishte ajo kuti. Sot jam krenare për tim vëlla”, -është shprehur motra e Marios.
Ndërsa e ëma ka rrëfyer se e ka pranuar me vështirësi faktin që Mario dëshironte të merrej me make up:
“Iu përgjërova të bënte çdo gjë që donte përveç make up-it, por ai më tha që e kishte vendosur. Mori kutinë dhe shkoi në shtëpinë e miqve të tij. Sot, çdo gjë që ka arritur ia ka arritur falë punës së tij, pa ndihmën e askujt.”
I prekur nga videoja, Mario u ngjit në skenë, ku mbajti një fjalim të gjatë dhe shumë emocionues:
“Faleminderit të gjithëve. Faleminderit Kim për mbështetjen gjatë këtyre viteve, ti je muza dhe engjëlli im. Është e pabesueshme ajo që ke bërë për vetëvlerësimin tim.
Kam investuar gjithçka që kisha për këtë ëndërr, derisa diçka e pabesueshme ndodhi. Lashë pas çdo pasiguri që kisha. Fillova të ndihesha mirë dhe rehat me veten time. Po filloj të shoh vlerën time të vërtetë.
Pak ditë më parë, për ditëlindjen e nënës sime, pasi u ktheva në shtëpi nga disa takime pune, gjeta nënën që po merrej me punë dhe shpërtheva në të qara. I thashë më në fund që kisha kaluar gjithë fëmijërinë dhe jetën time duke mbytur mendimet, ëndrrat dhe ndjenjat e mia, duke u përpjekur të jem i padukshëm në mënyrë që askush të mos e dinte si po ndihesha përbrenda, që askush të mos tallej me mua, sepse e dija që kisha lindur ndryshe. Isha i traumatizuar të isha vetja. Kam jetuar me frikë dhe i turpëruar gjithë jetën time.
Ajo më pa me sytë e saj jeshil dhe e ndjeva thyerjen e zemrës së saj, më tha: Mario prej kësaj dite nuk do të jetosh më kurrë me turp e frikë për të qenë ai që je, sepse ti je i bukur, perfekt, i fuqishëm. U zgjova ditën tjetër (që ishte dje) dhe ndjeva një dritë rreth meje.
Tani që kam atë që kam ëndërruar, mund të qëndroj krenar dhe me kokën lart. E di që askush dhe asgjë nuk mund ta shkatërrojë. E mësova këtë nga ju. Më mësuat si të jem një burrë i fortë. Dua t’u them diçka të rëndësishme vëllezërve dhe motrave të mia shqiptare. Po ju kërkoj të gjithëve të hapni sytë, zemrën dhe shpirtin, sepse shumë vajza dhe djem në botë po rriten me dhimbjen që unë jam rritur. Mendojnë çdo ditë të vrasin veten, ashtu si unë mendoja. Vetëm sepse janë ndryshe dhe janë të frikësuar të jenë vetvetja, sepse kultura ose familja i gjykon. Janë të frikësuar se fisi ose familja nuk do t’i pranojë sepse kanë lindur ndryshe. Ne nuk jemi ndryshe. Ne meritojmë të jemi të lumtur dhe të ndjejmë dashuri. Sot po e them për herë të parë, unë jam një burrë 37-vjeçar gay. Tani mund të jetoj jetën që meritoj dhe ndihem i lumtur që më në fund mund të jetoj.”