Historia e tyre tashmë ka përfunduar. Shkëlzen Berisha bashkëjeton me Armina Mevlanin, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Sadija, nënë e katër fëmijëve, dy nga të cilët me Shkelzenin, vazhdon të jetojë në Suedi.

Megjithatë nëse do të zhvillohej një intervistë e gjatë me Sadijen, siç është ajo për kopertinën e revistës Living, realizuar nga Gentian Minga, historia me Shkëlzenin nuk mundet kurrsesi të lihet pa përmendur.Në këtë intervistë te revista “Living”, Sadija ka folur për arsyet e ndarjes me djalin e ish-Kryeministrit Berisha, që mesa duket nuk fillojnë me Arminën.

Shkëlzeni e njohu Sadijen kur ishte vetëm 24 vjeç, ndërkohë që në çift kishte një diferencë prej 11 vitesh. Atëherë Sadija ishte 35 vjeçe, e dy fëmijëve nga martesa e saj e parë. Vetëm pak muaj më vonë kjo lidhje solli një martesë të shpejtë dhe të kundërshtuar nga familja e Shkëlzenit, për shkak të kohës së shkurtër që u mor vendimi dhe diferencës në moshë. Gjatë atij viti të shpejtë erdhi në jetë vajza e parë dhe më pas djali 1 vit më vonë. Në 2007-ën Shkëlzeni rikithehet në Shqipëri, nga ku siç konfirmon edhe Sadija, filloi përçarja e çiftit. 6 vite më vonë pasi kjo krizë kishte filluar, Shkëlzeni njohu edhe dashurinë e tij Arminën, me të cilën është në një lidhje intensive prej 3 vitesh. Sadija shtron një sërë arsyesh përse martesa e tyre përfundoi në divorc: “Arsyet pse një martese i vjen fundi mund të jenë shumë dhe nga më të ndryshmet. Për t’i kuptuar mendoj se është e nevojshme të kthehesh pas në kohë dhe të kërkosh arsyet përse u martove me dikë. Unë njoh arsyet e mia përse u dashurova me Shkëlzenin, por nuk mund të përgjigjem për arsyet e tij. Për pjesën që më takon, unë kam qenë e sinqertë në këtë martesë që nga dita e parë deri në ditën e fundit. Që në fillim mundësitë kanë qenë kundër nesh. Kjo fillon që nga diferenca në moshë, te mospranimi i familjes, faktin që ishim rritur në vende të ndryshme, në mënyra të ndryshme dhe me mendësi të ndryshme. Para njohjes me të, unë isha e suksesshme në bizneset e mia dhe e pavarur. Për mendimin tim, dhe unë mund të flas vetëm për mendimin tim, fillimi i fundit erdhi me kthimin e tij në Shqipëri. A më vjen keq për këtë? Po! Sot më vjen keq për fëmijët, që nuk po rriten në një familje të bashkuar, që nuk e kanë babanë e tyre në jetën e përditshme. Ata rriten shumë shpejt… Më përpara më ka ardhur keq siç do t’i vinte keq çdo gruaje të dashuruar me bashkëshortin e saj, siç do t’i vinte keq çdo nëne për traumën që një divorc u shkakton fëmijëve”, ka treguar ajo.

Sadije Berisha, kohët e fundit, po jeton një histori të re dashurie në Suedi, ku edhe jeton.