Parada e rrallë e dasmës mbretërore në Tiranë kishte të ftuar specialë të darkës private të kurorëzimit të një princi e princeshe shqiptare, familje mbretërore nga e gjithë bota. Mikesha speciale e nuses Elia Zaharia, Sadije Berisha, ishte PR dhe organizatorja kryesore për dasmën, protokollin dhe gjithçka tjetër që kërkonte kjo ceremoni. Në një intervistë për ‘Panorama’ ajo rrëfen paskuintat e kurorëzimit që rrëmbeu vëmendjen e mediave botërore. Veç të tjerash, ajo rrëfen momentin emocionues të takimit me çiftin ish­kryeministror, Sali dhe Liri Berisha, arsyen pse nuk pati një ftesë për Shkëlzenin dhe detaje të tjera nga dasma e madhe e një jave më parë.

E pyetur për vëmendjen meditiake që krijoi dasma mbretërore, Sadija thotë se: “Para së gjithash, kjo martesë ishte PR më i mirë dhe më pozitiv që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Prania e kaq shumë familjeve mbretërore në këtë ceremoni do të thotë se Shqipëria nuk është vetëm e sigurt për t’u vizituar, por edhe mjaft interesante për t’u parë…” Dhe më tej, ajo shton: “Mendoj se ky është sinjal pozitiv për turizmin dhe investitorët e huaj. Media në të gjithë botën ka shkruar për Shqipërinë me një tjetër konotacion, aspekt tjetër dhe këndvështrim të ri. Kjo ishte e gjitha një anë pozitive dhe në ndryshim nga çdo gjë që ne lexojmë zakonisht për Shqipërinë. Njerëzit kanë nevojë për këtë, vendi ynë ka nevojë për këtë… Shpresojmë që duke i kthyer botës sytë drejt Shqipërisë, ne mund të drejtojmë fokusin drejt këtij vendi, për të marrë ndihmën dhe mbështetjen që na nevojitet, e për të bërë kështu ndryshime për më mirë. Kjo sigurisht ishte dëshira dhe shpresa ime.”

Por, përveç vëmendjes mbi nusen, dhëndrin dhe familjet mbretërore, nuk qenë të paktë edhe sytë kureshtarë që u ndalën në takimin e Sadijes me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe zonjën e tij. E pyetur edhe për këtë moment, Sadije flet hapur për ndjesitë e këtij takimi: “Ky moment i dasmës ishte pak emocionues, pasi ata do të thonë shumë për mua, në një kohë që janë ligjërisht gjyshërit e dy fëmijëve të mi, Medinës dhe Laidonit. Dhe më kryesorja ishte që unë nuk i kisha parë ata për një kohë shumë të gjatë…” – thotë ajo për gazetën. Ndërsa e pyetur për praninë e Shkëlzenit, ish-bashkëshortit të saj, ajo thotë se për të nuk kishte ftesë: “Kjo ishte dasma e Elias dhe Princ Lekës. Nuk ka arsye të tjera, përveç faktit që ata nuk janë shoqëruar kurrë me njëri-­tjetrin. Kjo ishte një ceremoni ku ata ftuan miqtë e ngushtë dhe nuk kishin asnjë detyrim të ftonin gjithë familjen.”