Nga sonte, në Top Channel nis transmetimi i “Hell’s Kitchen” – një prej formate më të suksesshëm në reality-n e kuzhinës në botë, sonte do të nisë të zbulojë nga nga një surprizat.
Çfarë do të ndodhë brenda një kuzhine? Sa tension do të ketë ndërsa në restorant presin porosinë dhjetëra njerëz, si do të reagojë shefi kur diçka gjatë rrugës prishet, kush do të dënohet në fund? Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera, në një format të ri, do të prezantohen sonte në Top Channel dhe pas të gjithave, fshihet një emër që e njihni shumë mirë – Renato Mekolli.
Hell’s Kitchen është një format i krijuar nga Cedi Grodon Ramsey, i nominuar tri herë për çmimet Emmy Awards: “Ishte një format që unë kisha kohë që doja ta sillja në Shqipëri, sepse njerëzit duhet të shohin se çfarë ndodh realisht brenda në një kuzhinë, në një restorant. Pse ndodhin gabimet? Pse njerëzit janë të pakënaqur? Pse largohen nga restoranti? Pse bërtet shefi? Gabimet që janë të pafalshme brenda në kuzhinë dhe ne duhet të reagojmë në mënyrën më të keqe ndonjëherë, por që nuk e kontrollojmë dot veten, sepse është momenti dhe tensioni i punës që ty nuk të lejon diçka të tillë”,- tha Renato Mekolli për Top Channel.
Po si është e ndërtuar gara që do të mbajë gjallë kureshtjen e publikut nga nata e parë deri tek e fundit?
Në një prononcim për Class, Renato Mekolli, tha se në këtë format do të ndodhë gjithçka që juve nuk ju ka shkuar ndonjëherë në mendje: “Dy skuadra do të ndeshen kundër njëra-tjetrës, por edhe vetë konkurrentët kundër tyre. E gjithë gara konsiston te gjetja e më të mirit” – thotë shefi i kuzhinës. Skuadrat do të mbajnë dy ngjyra simbolike: skuadra e kuqe – vajzat dhe skuadra blu – meshkujt.
Siç sqaron më tej Renato, sfidat do të jenë nga më të paimagjinueshmet e më të vështirat, sfida të forta, të cilat kanë për qëllim të tregojnë se kush janë shefat që mund të përballojnë gjithçka në restorante të përmasave të mëdha e luksoze: “Të gjithë konkurrentët do të jetojnë në një shtëpi, femrat në dhomen e tyre dhe meshkujt në dhomën e vet. Përmes sfidave, ata do të tregojnë aftësitë e tyre për të shkëlqyer ose do të marrin dënimë nëse nuk ia dalin dot deri në fund: “Për skuadrën që nuk do t’ia dalë do të ketë dënime, ndërsa për ata që triumfojnë, natyrisht, do të ketë surpriza pa fund” – shton më tej Renato duke u ndalur edhe tek konkurrenti që do të cilësohet si më i miri.
“Patjetër që dikush nuk do të jetë dhe aq i mirë në mënyrën se si punon. Dhe sigurisht që do të largohet, do të ketë shumë, por shumë tension dhe presion, sepse ata do të gatuajnë për klientët normalë që rezervojnë dhe vijnë në restorantin e Hell’s Kitchen.”
Në fund të garës, ka edhe një çmim të madh e prestigjioz. Atë do ta ketë vetëm një konkurrent, i cili do të fitojë një kontratë 1-vjeçare në restorant “Umami by Renato Mekolli”, në Tiranë, si edhe një sasi të konsiderueshme parash.