“Kur ishim fëmijë, klasë e parë…” Ndoshta jo të gjithë e kujtojnë ditën e parë të shkollës, por me siguri kujtojnë mësuesin e parë, mësuesin më të rreptë dhe mësuesin më të mirë. Sa herë është festë, më çdo 7 Mars, si sot. Gjithmonë me mirënjohje. Shumë nga personazhet e njohur kanë kujtuar sot Ditën e Mësuesit, duke shprehur urimet e përzemërta dhe duke i ndarë ato me të gjithë miqtë në rrjetet sociale.

Edi Rama

Kryeministri i vendit ka zgjedhur të kalojë festën në një shkollë jashtë kryeqytetit, në Shkodër dhe pikërisht në shkollën “28 Nëntori”, e cila u shpall edhe shkolla më e mirë për rezultatet e vitit 2015. Që andej, Edi Rama uron: “Gëzuar festën të gjithë mësuesve! Sot në gjimnazin “28 Nëntori” të Shkodrës për t'i përcjellë urimet më të përzemërta të gjithë mësuesve të Shqipërisë përmes ekipit fantastik të kësaj shkolle, ku respekti për traditën dhe ambicia për të ardhmen gërshetohen me rezultate mbresëlënëse.

Erion Veliaj

Kryebashkiaku ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të uruar 7 Marsin: duke uruar të gjithë mësuesit që kanë dalë në pension: “Mirënjohja për të parët e bën qytetin familje më të mirë. Këtë 7 Mars nderuam në Bashkinë e Tiranës 7 mësues në pension, me mirënjohje për dhjetëra vite pasion e dashuri pa kushte.”

Ardit Gjebrea

Edhe producenti Ardit Gjebrea nuk harron asnjë vit të jetë bashkë me mësuesit në ditën e tyre: “Për një nga profesionet më fisnike, sot vjen urimi plot dashuri: Gëzuar Festën! Mësuesit, që nga vegjëlia e deri sa bëhesh gati të kapësh jetën për brirësh, të mësojnë e të durojnë, duke ndërtuar të parët të ardhmen tënde. Mirënjohje për çdo mësuese e mësues!”

Ermal Mamaqi

Nuk mund të ndodhte ndryshe, ashtu si në çdo status të tij, humori nuk mund të mungojë: “Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesit e mi dhe faleminderit për të gjithë të rrafmet që më keni dhënë. Si nuk jetova shkollën në këtë kohë. Të gjithë në burg do kalbeshit”

Greta Koçi

Këngëtarja e njohur Greta Koçi ka falënderuar të gjithë mësuesit për përkushtimin, dashurinë dhe edukimin që i kanë dhënë dhe i japin çdo brezi: “Dua të uroj të gjithë mësuesit shqiptarë, në këtë ditë feste, ku nderojmë me mirënjohje dhe respekt figurën e lartë të mësuesit, një ndër profesionet më fisnike dhe të dashura. Gëzuar 7 Marsin dhe faleminderit për përkushtimin, dashurinë dhe edukimin që jepni brez pas brezi”.

Klajdi Haruni

Nuk mund të largohet nga qyteti i tij i lindjes, Korça e dijes, Korça e shkollës së parë shqipe: “Sot është dita për t’i falënderuar nga zemra, si çdo vit, MËSUESIT, që na përcollën jo vetëm dije, por bashkë me to edhe shumë dashuri, respekt, përkushtim dhe momente të paharrueshme! Gëzuar 7 Marsin!”

Julian Deda

Aktori i njohur i humorit, si çdo vit, është mjaft i kujdesshëm për të kujtuar këtë ditë të gjithë mësuesit: “Gëzuar 7 Marsin të gjithë edukatorëve, mësuesve dhe pedagogëve që u përpoqën të na edukojnë me ndershmëri dhe përkushtim. Çdo gjë nis nga shkollimi. Gëzuar!”

Blendi Salaj

Gazetari Blendi Salaj kujton 7 Marsin e tij të parë, duke postuar një foto nga klasda e parë dhe duke uruar të gjithë mësuesit: “Me zysh Mozën dhe të Parën C. "Sabaudin Gabrani", Tiranë. 1986.”

Fiori Dardha

Moderatorja e njohur e “Fiks Fare” e ka edhe më familjare festën e 7 Marsit, meqenëse motra e saj, Albana, është mësuese. Nëpërmjet një fotoje të së motrës, në profilin e saj në Instagram, Fiori uron: “Gëzuar 7 Marsin mësues të dashur!  Gëzuar festën motra ime! Je zysha më kinge që unë njoh!”