Ndriçim Xhepa është një nga aktorët më të famshëm shqiptarë, por nga më të tërhequrit kur vjen fjala për dalje televizive. Megjithatë ai ka pranuar ftesën e Arian Çanit për të qenë në Zonë e lirë në një bisedë të gjerë, pak ditë pasi mbushi 60 vjeç.

Në këtë studio, janë kujtuar disa nga dhjetëra rolet në teatër dhe film të Ndriçimit, ndërkohë që Xhepa ka përmbledhur jetën e tij që prej fëmijërisë.

Në fillim u kujtua Xhavit Xhepa, i ati i Ndriçimit, që ka qenë këngëtar i njohur. Ai dhe Margarita Xhepa janë njohur më shumë sesa 60 vjet më parë, kur aktorja e re ishte konferenciere e festivaleve të para të këngës.

Xhepa ka treguar një përvojë tronditëse kur pas shkollës së mesme duhej të bënte një vit stazh, para se të vazhdonte universitetin. Më pas erdhi koha e studimeve dhe që atëherë Ndriçim Xhepa ka qenë I pashkëputur nga arti.

Ndriçimi është djali i madh i familjes, ai ka edhe një vëlla 10 vjet më të vogël, i cili ndryshe nga gjithë anëtarët e familjes ka zgjedhur rrugën e mjekësisë dhe është mjek kirurg.

Edhe pse shumë i rezervuar për jetën private, Ndriçimi ka folur pak edhe mbi familjen. Ai ka lënë të kuptohet sa i rëndësishëm dhe sa ia ka ndryshuar jetën djali i tij Martini, që ka mbushur 10 vjeç.

Në studio është folur edhe për skenat erotike apo puthjet në shfaqje të ndryshme dhe marrëdhëniet e veçanta që krijohen mes artistësh, por Ndriçimi ka thënë që bashkëshortja e tij e mirëkupton profesionin e aktorit dhe nuk është xheloze.

Është ndër të paktat herë që Xhepa shfaqet në një program televiziv. “Aktori nuk ka nevojë të flasë për një rol, të lodhë shikuesin duke shpjeguar si e ka arritur, kur spektatori e sheh vetë”, ka thënë ai duke argumentuar mungesën në televizion.

Xhepa nis xhirimet e një filmi pas pak ditësh.