Është një dukuri e njohur në shoqërinë shqiptare, që gratë durojnë tradhtinë e burrave për të mos prishur familjen, siç e quajnë ato. Arsyet mund të jenë edhe çështje mentaliteti, financiare apo tjetër, që mund të jenë të ndryshme dhe të pagjykueshme nga jashtë, megjithatë asnjëherë nuk është e sigurt që një familje e ngritur mbi tradhtinë e një burri dhe trishtimin e një gruaje është një familje e shpëtuar.

Blerina Bombaj, dietologe dhe person publik ka shkruar dje një status për këtë fenomen, me gjithë mllefin që ka grumbulluar rreth tij. “Nuk jane vetem keta burra qe konkurrojne me qente e rruges per "burreri", jane edhe ato gra qe i mbajne keta burra po aq te perfshira ne kete degjenerim te meshkujve shqiptare. Gra qe pranojne te tradhtohen ne emer te "mos prish familjen" edhe pse e ndotur. Si moj u mbaka familja duke bere nje sy qorr e nje vesh shurdh? Familja do shembull, jepi mesim burrit tend se nuk mund te te shkele, jepi modelin e dinjitetit, respektit, forces dhe dashurise vajzes dhe djalit tend, dhe jep shembullin tend ne shoqerine qe s’po ka me din e iman, ne shoqerine ku pikerisht familja po iken per lesh...”, shkruan dietologia.

Një mesazh force, por që gjithsesi, sërish gruan  ngarkon me përgjegjësi. Në fakt, nëse një situatë e tillë ndodh, burri del menjëherë nga diskutimi dhe e gjithë çështja është si do veprojë gruaja, por nëse familja dhe shoqëria do ishte më mbështetëse, gratë do kishin mundësi që të bënin vendime më të lira, në favor apo kundër kësaj martese, por gjithsesi vendime të lira.