Ishin vigjiljet e Krishtlindjeve të vitit 2009 kur Andresa Ambrosio erdhi në Shqipëri së bashku me disa balerinë të tjerë nga Brazili për të kërcyer për pak kohë. Por balerina e bukur braziliane, as nuk e kishte menduar që pothuaj 9 vjet më vonë do të ishte ende në vendin ku mendoi se do rrinte maksimumi 6 muaj. Rrugës, gjërat ndryshuan… Sot, pas atij fillimi, vazhdon të argëtohet dhe të argëtojë publikun në “E diela shqiptare.”

Këto vite në vendin tonë jo vetëm e kanë ndryshuar Andresën, por e kanë bërë ta dojë më shumë Shqipërinë sesa Brazilin. E ka thënë gjithmonë. Asaj i pëlqen jeta e Shqipërisë, dinamika e Tiranës, ndaj edhe nuk është penduar për vendimin që ka marrë para shumë vitesh, përkundrazi.

Sot, e ftuar në “Këndi i së vërtetës” përballë Edi Manushit në Top Arena, Andresa zbuloi, ndër të tjera, pse i pëlqen të jetojë më shumë në Shqipëri. Me shqipen e çalë, por karakteristike, Andresa tha se i pëlqen ushqimi shqiptar, madje e shijon shumë pulën me pilaf, ashtu si edhe gjellën me bamje. Ndërsa pyetjes për çunat shqiptarë, ajo iu përgjigj: “Unë nuk provon çunat shqiptarë, nuk e di, por mendoj mirë me mua…” (e kuptoni, me siguri, atë që deshi të thoshte)

Po në dasmën e saj, ç’valle do të kërcejë, samban braziliane apo napolonin shqiptar? Kush e kishte pritur? Andresa u përgjigj menjëherë: “Tallava…”

Muzika aq shumë e përfolur, po aq sa edhe e dashur nga ballkanasit kryesisht, ashtu si edhe nga shqiptarët, i paska hyrë në zemër edhe Andresës. Ajo nuk shqetësohet fare për ata që mendojnë dhe dëgjojnë “muzikë cilësore”, “muzikë të vërtetë” etj.. Andresa, çdo të diel, lëviz dhe kërcen sa herë ndjen ritmin dhe të tjerat pas, për të nuk kanë rëndësi. Kështu do të jetë edhe dasma e saj.

Kush nuk ka kërcyer ndonjëherë me tallava, nuk është pjesë e këtij diskutimi...