Një ndërtesë madhështore që ngrihet mbi kodër e që vihet re lehtësisht kur hyn apo del nga Tirana, për në Durrës apo aeroport. Një universitet, mund të kenë menduar disa në fillim. Askush nuk mund të rrinte indiferent ndaj ndërtesës që po hidhte shtat majë kodrës dhe fjalët sapo kishin nisur. Kur kupola e kolonat u dalluan ndoshta dikush mendoi për një katedrale. Kur fasada po merrte identitet dhe u vendosën edhe statujat e tetë mbretërve ilirë, që për disa ditë ishin ekspozuar edhe në hyrje të Muzeut Kombëtar, u kuptua që ndërtesa do ishte sekulariste. Një kazino luksoze? As njëra, as tjetra dhe as tjetra! Do të jetë një hotel. Pasi u bindën për këtë, hamendjet nisën të merreshin me emrin e pronarit, por edhe ato kanë qenë të gabura. Pronarët dhe ideatorët e këtij hoteli, që do të quhet Amadeus Palace, si emri i kompozitorit Mozart, është çifti Besim Elshani dhe Elisabeta Gjoni.

Floriana Garo me ideatoret dhe krijuesit e hotelit Besim Elshani dhe Elisabeta Gjoni

Emisioni i Tv Klan, "Jo vetëm modë", i Floriana Garos, hyri me kamerat e tij, pak kohë më parë në mjediset e këtij hoteli, ku ende punohet, për të zbuluar për herë të parë, për sytë e gjithë publikut, sekretet e kësaj ndërtese që si pak të tjera e ka ngacmuar kureshtjen e qytetarëve, por edhe për të prezantuar njerëzit që e kanë ngritur idenë e tij, një simfoni e përkryer prej guri, druri e shumë lëndë të tjera ekologjike e metalesh të çmuara.

Pa e tepruar, më shumë sesa një hotel, të ngjan me një galeri arti, ku qëndrojnë të rreshtuara skulpturat e punuara që më pas do të zënë vend në pjesë të ndryshme të hotelit. Më shumë sesa një sheshpunimi për ngritjen e një ndërtese i ngjan me një punishte arti, ku pareshtur punohen skulptura guri, apo druri, punohet mbi fletët e arit, që mbulojnë tavanët, gdhenden këmbët e krevatëve, pikturohen me dorë komodinat. “Çdo dhomë ka karakterin e saj unik, por shpirtin e hotelit”, thotë Elisabeta gjatë emisionit “Jo vetëm modë” dhe pamjet tregojnë afresket e ndryshme, unike, në tavanë apo mure.

Nëse arti shfaqet në çdo detaj, shtrihet në çdo sipërfaqe e ngrihet në gjithë lartësinë e kësaj godine, kjo nuk do të thotë që struktura dhe elementët inxhinierikë, elementet e ndriçimit, termoizolimit, akustikës janë lënë në plan të dytë. Standardet e larta që ka respektuar ky hotel bëjnë që mbi parketin e punuar mos të dëgjohen hapa, apo që zhurmat e arterieve rrugore drejt Tiranës mos të depërtojnë brenda mureve. Janë përdorur gurë të plotë, për të ruajtur freskinë në verë dhe ngrohtësinë në dimër dhe hapësirat janë konceptuar për t’u garantuar komoditet të plotë klientëve. Vërtet duket si një muze arti, por për asnjë çast, nuk është harruar që kjo është një ndërtesë në shërbim të njerëzve.

Ky hotel, si  thotë Elshani, do u ngelet shqiptarëve për artin dhe punën e artizanëve. Në Evropë mund të ketë shumë ndërtesa të këtilla, por tani njerëzit kanë ndaluar së krijuari vepra të tilla dhe atij i vjen mirë kur sheh një ringjallje të kësaj tradite në Shqipëri. Janë rreth 120 artistë të zhanreve të ndryshme, skulptorë, piktorë, mjeshtër të gurit, drurit, hekurit, gdhendjes që prej muajsh kalojnë orë të tëra pune në realizimin e veprave të ndryshme të artit.

Surpriza e vërtetë është një statujë e Skëndërbeut e cila do vendoset mbi ndërtesë në përfundim të saj, rreth 7 metra e lartë dhe 6.5 metra e gjerë. Një sipërfaqe e tërë në kopshtin e hotelit do të krijohet për të pasur në qendër dy vepra të tjera arti nga historia shqiptare, mburojën dhe përkrenaren e Skëndërbeut.

Hoteli është menduar me dy godina që do të bashkohen nga niveli zero dhe dy katet e nëndheshme, me kopësht të brendshëm, me 180 dhoma e suita, të mobiluara me stil rokoko, me llampadarë të punuar nga mjeshtrit venecian të xhamit të Muranos, me tapiceri franceze të shekullit XVIII, me afreske origjinale. I gjithë hoteli do të ketë një frymë të theksuar të Rilindjes Evropiane, por me shumë elemente shqiptare. Arkitektura është një shkrirje e Barokut me neoklasiken. Janë dashur 5 vjet për ngritjen e tij dhe do të duhet edhe një tjetër deri në hapje, por idetë kanë nisur më herët. Vetëm një pllakë e tavanit, i merr mjeshtrit që e punon me dorë, tetë orë, një ditë pune dhe prandaj  është e kuptueshme si ka rrjedhur koha brenda kësaj godine.

Parashikohet rregullimi i rrugëve për ngjitjen atje,  që,  deri te mendimin për ta vizituar këtë vend,  të përcjellë qetësinë që gjendet brenda, pa harruar edhe kontaktin me natyrën. Janë përdorur materiale ekologjike dhe gjithashtu, ngjyra e gjelbër është e theksuar në detaje, që nga kupola deri te pikturat në xhame e mure për të theksuar vizualisht këtë marrëdhënie. Sigurisht nuk mungojnë hapësirat e pushimit, spa-të, një pishinë gjysmëolimpike, restoranti me një sipërfaqe rreth 460 metër katror në kat të parë dhe ai gastronomic që do ndërtohet brenda kupolës së sipërme e që parashikohet të ketë dy yjë Michelin.

Është një vepër arti. Një mrekulli arkitekturore. Një hotel i krijuar për ta nderuar mjeshtërinë e artizanatit dhe historinë e Shqipërisë. Siç konfirmojnë vetë krijuesit e tij, ai do të jetë pjesë e grupit Sofitel, një përzgjedhje mes shumë kërkesash nga grupe hotelesh të njohur. Ndryshe nga ç’të bën të mendosh instiktivisht ky  mjedis, ideatori i tij, thotë edhe që çmimet do të jenë të arsyeshme.

Pra kjo mbretëri luksi dhe arti do të jenë të arritshme! Le të presim.