Nën drejtimin e Berdymukhammedov, veshur me bluzë të bardhë, imazhi i një kombi të shëndetshëm është në qendër të propagandës shtetërore

Turkmenistani është një nga vendet e pakta, përfshirë Korenë e Veriut, që thonë se nuk ka raste të koronavirusit. Por raportet sugjerojnë se vendi po përjeton valën e tretë dhe ndoshta më të fortë të Covid-19.

Sayahat Kurbanov po mbytej. Ai gulçoi për ajër sikur të kishte vrapuar në një maratonë, dhimbja në gjoks ishte e padurueshme. Ai kishte të gjitha simptomat e koronavirusit. Problemi ishte se ai ishte në Turkmenistan, ku pacientë si ai zyrtarisht nuk ekzistojnë.

Kur ai thirri një ambulancë muajin e kaluar, mjeku i tha se kishte pneumoni dhe duhet të shkonte urgjentisht në spital. Kurbanov (jo emri i tij i vërtetë) e dinte që mjekët e vendit i referoheshin rasteve të Covid si pneumoni.

Gjatë rrugës për në spital, z. Kurbanov arriti të telefononte klinikën ku kishte bërë një test Covid disa ditë më parë.

"Është pozitive," dëgjoi një zë të qetë të thoshte. "Çfarë është pozitive?" ai bërtiti, "A është Covid?" "Po," erdhi përgjigjja.

Vetëm më vonë ai zbuloi se ata kurrë nuk ju jepnin një copë letër nëse rezultoni pozitiv në Turkmenistan.

Spitali i parë ku shkuan refuzuan ta merrnin sepse ishte plot.

"Unë gati vdiqa rrugës," tha Kurbanov. "Mungesa e ajrit ... virusi përparoi kaq shpejt. Fillova të godas dritaren dhe bërtita: ‘Të lutem ndalo, nuk marr frymë’. Më dhanë oksigjen, por nuk më ndihmoi shumë."

Spitali tjetër gjithashtu refuzoi ta pranonte atë, këtë herë sepse ishte e ndaluar të merrte pacientë që nuk ishin regjistruar në kryeqytet, Ashgabat.

"Fillova të më zërë paniku. E pyeta mjekun, 'Çfarë duhet të bëj? Të vdes këtu?'"

Ai thirri një mjek që e njihte dhe iu lut për ndihmë. Pas telefonatave të shumta dhe bisedave të nxehura ai përfundimisht u pranua. Gjendja e tij nuk ndryshoi për pesë ditë.

"Nuk mund të merrja frymë - ishte sikur gjithçka brenda meje ishte ngjitur. Kisha sulme paniku pasi nuk mund të merrja frymë. Ishte sikur të isha zhytur nën ujë dhe nuk mund të dilja në sipërfaqe."

Ai bërtiti që infermierët t'i jepnin diçka për të lehtësuar dhimbjen. Të futesh në spital nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të marrë trajtim në Turkmenistan, thotë Kurbanov. Mjekët në mënyrë rutinore injorojnë pacientët dhe infermierët nuk i kontrollojnë ata nëse dikush nga lart nuk thërret njerëzit e duhur.

Spitali gjithashtu kishte një staf të dobët me disa infermierë që kujdeseshin për më shumë se 60 njerëz. Kishte raste kur pastruesja bënte injeksionet, tha ai.

Infermierët ndanë histori për pacientët që rrëzoheshin dhe vdisnin para tyre, sepse nuk kishte ventilatorë në dispozicion dhe makinat e oksigjenit nuk funksiononin. Mjekët ndryshuan trajtimin e Kurbanov disa herë.

Ai shpenzoi rreth 2,000 dollarë për ilaçe dhe ryshfete, një shumë e madhe në Turkmenistan, dhe dol inga spitali pas 10 ditësh.

Stafi mjekësor në Turkmenistan nuk i thotë fjalët koronavirus ose Covid

Mediat e Turkmenistanit me bazë jashtë po raportojnë për valën e tretë të infeksioneve, por pothuajse të gjithë brenda vendit kanë frikë të flasin. Faqja e internetit Turkmen.news ka identifikuar më shumë se 60 njerëz që kanë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

Autoritetet turkmene nuk zbulojnë raste të koronavirusit. Presidenti Gurbanguly Berdymukhammedov, një ish-dentist, përdor imazhin e një kombi të shëndetshëm si thelbin e propagandës shtetërore. Të pranosh që vendi po preket nga pandemia mund të minojë legjitimitetin e regjimit të tij.

Sidoqoftë, një rast vitin e kaluar pothuajse e shpërtheu “sekretin”. Një diplomat turk në Ashgabat u sëmur. Kemal Uckun kishte simptoma tipike të koronavirusit: dhimbje në gjoks, djersitje, ethe. Ai u diagnostikua me pneumoni.

Gruaja e tij, Guzide Uckun, i dërgoi rrezet X të gjoksit në spitalet turke dhe të gjithë konfirmuan se ai kishte Covid-19.

Ajo dëshpërimisht u përpoq ta kthente Uckun në Turqi, por autoritetet turkmene thuhet se refuzuan të lejonin që një avion mjekësor ta transportonte jashtë. Leja u dha vetëm disa orë pas vdekjes së tij. Trupi i Uckun u balsamos dhe ekspertët e mjekësisë ligjore nuk mund të gjenin gjurmë të koronavirusit.

Kemal Uckun

Autoritetet e Turkmenistanit kanë vendosur disa masa karantine për të ndaluar përhapjen e sëmundjes. Por qeveria këmbëngul që, falë "hapave të saj parandalues", vendi mbetet pa Covid.

Asnjë nga stafi në spitalin e Kurbanov nuk përdori fjalët Covid ose koronavirus.

"Ata thoshin "ky virus" ose "kjo sëmundje"," tha ai. "Unë i pyesja ata, 'Pse nuk po thoni se çfarë është? A është Covid?' Dhe ata pohonin me kokë në heshtje".

Ndërsa ishte në spital, Kurbanov mori një mesazh me tekst nga qeveria me një paralajmërim shëndetësor. Në mesazh u bëhej thirrje njerëzve të mbajnë maska për fytyrën për shkak të pluhurit në ajër.

"A po vdesim nga pluhuri?" tha ai. "Ata do t'i lënë njerëzit të vdesin, por ata kurrë nuk do të pranojnë se kanë Covid."

Përkthyer nga BBC