Pas shkëputjes nga ekrani disa muaj para lindjes së Mias, Rudina Magjistari tashmë po përgatitet për t’u rikthyer. Ndonëse ishte lajmëruar se në janar moderatorja e “Takimit të Pasdites” do të rikthehej në ekran, përgatitjet për sezonin e ri për Rudinën kanë ardhur më ngadalë. Periudha e mëmësi, aq sa e bukur, ka qenë për të edhe një periudhë e lodhshme dhe e papaërsëritshme. Në një intervistë të fundit për “Gazetën Shqiptare”, Rudina tregon se së shpejti do të vijë në ekran me risi në programin e saj: “Jam ende me leje, por po përgatitem për rikthimin, që do të ndodhë së shpejti”, – është shprehur ajo, ndërsa sqaron se akoma nuk ka caktuar një datë për startin në “Takimin e Pasdites”. Por, rikthimi i saj në televizion do të shënojë edhe disa ndryshime në emisionin e përditshëm të prezantueses. Mbi ndryshimet që do të ndodhin në program, Rudina Magjistari ka thënë se, “do të ndryshojë skenografia. Megjithatë, koha kur do të fillojmë transmetimin varet më shumë nga unë sesa nga skenografia. Por do të punojmë njëkohësisht, paralel”. Sa i takon mëmësisë, moderatorja shprehet tejet entuziaste dhe e lumtur. “Mia është shumë mirë, rritet çdo ditë nga pak”, – thotë ajo për GSH.

Por sa e vështirë është të bëhesh nënë për Rudinën? Me siguri shumë vajza të reja do të përgjigjeshin në kor se: Të bëhesh nënë për herë të parë ka, natyrisht, vështirësi. Ndërsa moderatorja i është përgjigjur kështu: “E lehtë nuk është, sigurisht, por është edhe shumë e bukur ndërkohë. Shumëzohet me zero lodhja para kënaqësisë dhe lumturisë që të jep mëmësia”

Gjatë periudhës së shtatzënisë së moderatores u fol se ajo do të qëndronte pranë vogëlushes së saj për gati një vit, për t’u rikthyer në ekran vetëm sezonin tjetër televiziv, pra në muajin tetor të vitit 2016. Por, siç duket, Rudina e ka rishikuar këtë vendim dhe e ka avancuar rikthimin në punë. Drejtuesja e paneleve të pasdites në “TV Klan” deklaroi publikisht se ishte në pritjen e ëmbël në muajin qershor të vitit të kaluar. Muajt e parë të shtatzënisë ajo i kaloi në Zvicër, me babanë e fëmijës, ish-­kampionin e kickbox­it nga Kosova, Xhavit Bajrami. Në këtë mënyrë, prezantuesja zgjodhi jo vetëm të mos ishte prezente në ekran si shtatzënë, por dhe të mos shihej nga adhuruesit e saj gjatë kësaj periudhe.