Natyrën rebele të aktores së njohur Eva Alikaj e kanë spikatur mjaft herët regjisorët e filmit shqiptar, qysh kur ajo ishte akoma studente e Akademisë së Arteve. Por rebelizmi ka arritur kulmin, kur në disa prej filmave të luajtur, Eva ka refuzuar një varg puthjesh me partnerët në rolet e saj në film dhe teatër.

Në një intervistë për gazetën "Panorama", aktorja e njohur ka pranuar të flasë për herë të parë jo vetëm për “skenat e ndaluara”, por edhe për dashurinë e jetës së saj, për të cilën po ashtu, puthjet ishin të ndaluara.

E para ka nisur në filmin e parë ku ajo ishte progatoniste, “Njeriu i mirë”, ku ajo refuzon të puthet me Bujar Asqeriun. Nuk ishte pjesë e skenarit dhe nuk kishte pranuar as përballë “kërcënimeve”, tregon aktorja në intervistë. Madje, nga kjo këmbëngulje janë ndërprerë edhe xhirimet e filmit: “Është një skenë, të cilën po e xhironim diku përballë Librit Universitar. Aty m'u kërkua të puthesha me Bujarin, Telon në atë rast. Kërkesa ishte gati urdhëruese, njësoj siç ishte edhe përgjigjja. Nuk ishte asnjë justifikim, sepse pikë së pari puthja nuk ishte pjesë e skenarit. Askush nuk më kishte thënë asgjë, ndërsa befas më kërkohet një skenë e tillë... e kanë kërkuar me ngul. Aq sa në një moment unë u tremba, sepse ndërprenë xhirimet dhe më thanë që do të më duhej të paguaja ditën e punës së të gjithëve, meqë isha unë ajo që po e shkaktoja pezullimin. Sidoqoftë, as kjo nuk do të më bënte të ndryshoja mendim. Thashë nuk e bëj dhe pikë, bëni ç’të doni, ndërpriteni filmin",- tregon aktorja.

Po kështu, aktorja tregon se ka refuzuar të puthet edhe në filmat “Jeta në duart e tjetrit” dhe “Treni niset në 7 pa 5”, por Alikaj ka rrëfyer për herë të parë edhe marrëdhënien me kolegun dhe aktorin e njohur Ndriçim Xhepa. Se si, as dashuria e saj e madhe nuk mjaftonte për të ndryshuar. Në teatrin “Romeo dhe Zhuljeta”, me Ndriçim Xhepën, me të cilin kishte edhe një lidhje që shkonte përtej roleve të të dashuruarve në skenë, aktorja nuk mund të shkëmbente puthje: “Ju nuk e imagjinoni se në ç’situata gjendeshim. Ndërsa putheshe, ti duhet të mendoje edhe për të gjithë njerëzit që të përgjonin nga çdo hapësirë e mundshme e lirë e skenës. Ishin të gjithë pas perdeve”,- tregon Alikaj.

Edhe pse Alikaj dhe Xhepa në atë kohë ishin partnerë përtej rolit, aktorja pranon se në atë lidhje ajo ka pasur pasiguritë e veta dhe nëse do kishte pasur më shumë besim, edhe mund të ishte puthur në skenë. Megjithatë, gjërat nuk ishin kaq të thjeshta në atë kohë: “Nuk jam ndier ndonjëherë e sigurt deri në fund.” Por as Xhepa, nga ana tjetër, megjithëse i kundërshtonte vazhdimisht vendimet e Evës, nuk tentonte ta bindte për t’u puthur në skenë, tregon aktorja. Jo vetëm për shkak se e njihte më mirë se të tjerët kokëfortësinë e saj, por edhe sepse e njihte mirë edhe realitetin të cilin jetonin…

Derisa, shumë pak vite pas ndryshimit të sistemeve, puthjet e munguara mes saj dhe Xhepës do të realizoheshin në filmin “Përdhunuesit”, por në këtë kohë ajo dhe Xhepa nuk ishin më bashkë (sado që historia ende nuk ishte shuar), tregon aktorja: “Ajo ka qenë dashuria e jetës sime dhe atëherë ishte ende shumë shpejt për ta konsideruar të mbyllur si të ishte një fjalë goje. Krejt ndryshe e shoh tani. Mendoj: A kam qenë po unë ajo që jam ndier ashtu?” – rrëfen aktorja për “Panorama”.

Një tjetër aktor i refuzuar i viteve ka qenë edhe Timo Flloko, i cili do ta realizonte më në fund puthjen në teatër, në pjesën “Shtrigat e Salemit”: “Po, e realizoi Timo më në fund edhe skenën e puthjes me mua. Ka qenë një rast edhe vite më parë që nuk pranova të puthem.”