Ka vetëm pak kohë që torta e ditëlindjes ka ndryshuar numrin e dekadës: 40, por nuk i vjen aspak keq për këtë. Përkundrazi, për këngëtaren e njohur të muzikës shqiptare, kjo është mosha më e mirë për t’u ndier e bukur dhe e fortë. Sepse, mbi të gjitha, është mosha kur shijon suksesin e një pune, të cilën e ka ndërtuar me thonj për vite e vite me radhë.

Në një intervistë ekskluzive për revistën “Elegance”, Albërie Hadërgjonaj është rrëfyer për këngën e re që sapo ka publikuar, jetën artistike dhe atë private (si në të paktat raste), për modelin e një mashkulli që nuk e pati kurrë në jetë, por edhe për marrëdhënien me të bijat, të cilat i quan një bekim të madh nga Zoti.

Statusin e nënës e ka gëzuar në moshë fare të re, por edhe pse herët, të qenit nënë i ka falur shumë dashuri. Sot ka dy vajza të mrekullueshme, të cilat e kanë gjetur rrugën e tyre, ndaj Albëries nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të gëzojë sukesin e tyre dhe të ndihet krenare. Edhe pse, gjatë rrugës mund t’i ketë mbetur ndonjë peng i vogël, përfshirë këtu edhe martesën e hershme: “Martesat e hershme kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Vërtet isha e papjekur, por mora një vendim me zemër. Çdo vajzë e dashuruar do të kishte bërë të njëjtën gjë. Edhe sikur të mund të ktheja kokën pas, nuk do të ndryshoja asgjë nga jeta ime.”

Jeta mes Tiranës dhe New York-ut i ka falur gjithmonë kënaqësi, sepse tashmë, Albëria synon të depërtojë në tregun ndërkombëtar, por, nga ana tjetër, kjo mënyrë jetese e ka vënë herë pas here edhe përballë zgjedhjeve “të detyruara”, si në këtë rast: “Arsyeja për të jetuar në New York është Angjelina. Ajo po studion dhe derisa të përfundojë studimet, nuk do t’i largohem.”

Angjelina dhe Agnesa, vajzat fatlume, tashmë janë shoqet më të mira të këngëtares. Prej vitesh, ato kanë një lidhje dashurie të konsoliduar dhe e ëma, natyrisht ndihet e lumtur: “Unë vajzat e mia i quaj me fat, sepse kanë në krah djem të mrekullueshëm”.
Sa për rivalitetin mes saj dhe Angjelinës, e cila prej kohësh është bërë pjesë e tregut muzikor, Albëria thotë se ndihet krenare për talentin e saj: “Ime bijë është e bekuar me talent dhe me pamje. Unë kam besim në vlerat e saj. Rivale është fjalë që s’ka vend mes nesh”.
Megjithatë, kohën e artë që po kalon me vajzat po e shfrytëzon edhe për aktivitet artistike. Amerika ka një komunitet të madh me shqiptarë dhe Albëria, shpeshherë është e ftuar në koncertet që zhvillohen prej tyre. Edhe pse, siç thotë ajo, guri i rëndë peshon në vendin e vet.

Jeta private është vënë shpeshherë në vëmendjen e mediave, madje së fundi është shkruar edhe për një divorc mes saj dhe bashkëshortit, Mentorit. Por këngëtarja nuk jep shumë detaje për, ashtu si për çdo rast: “E vërteta është që ne të dy e duam shumë njëri-tjetrin. Kemi dy fëmijë të mrekullueshëm që janë fryt i dashurisë sonë dhe asgjë tjetër nuk ka më shumë rëndësi se kjo. Nuk dua të shtoj asgjë tjetër”,- ka thënë ajo për “Elegance”.
Dhe nuk ka ç’të shtojë, në fakt. Po jeton periudhën më të mirë të jetës. Ndihet në formë të shkëlqyer fizike, falë kujdesit për ushqimin dhe ushtrimit në palestër. Nuk ka asnjë frikë për vitet, as plakjes nuk i druhet, ndonëse “rrudhave ua bën dermanin”. Po jeton kohën më të mirë, sado vite të ikin nga jeta: “Ndihem e bekuar që i festoj përvjetorët me familjen time.”