Cilat janë personazhet që janë përfolur këtë javë nga mediat? Çfarë kanë bërë për të tërhequr vëmendjen?

Olta Boka: Ndihem e përmbushur dhe e plotësuar

Kënga e fundit e Olta Bokës, “Rri dhe pak” është pritur shumë mirë nga publiku, edhe pse Olta këtë herë vendosi të ndryshojë paksa nga personazhi që ishim mësuar të shihnin nëpër klipe. Kjo zgjedhje, siç tregon këngëtarja në një intervistë për “Panorama”, ka ardhur e paramenduar për të qenë ndryshe. Aventura në këtë krijim të ri është pjesë edhe e karakterit të Oltës, por nuk ka lidhje me jetën e saj personale. E pyetur nëse ka lidhje me realitetin vajza guximtare dhe flirtuese e klipit, Olta tregon: “Të them të drejtën nuk më është dashur ta vë në pjesën flirtuese, pasi kur njeriu është i përmbushur me partnerin që ka, nuk e ka ndier të nevojshme të zhvillojë më shumë pjesën e flirtit...”

Stiljano Kananaj: Luana Vjollcën e bëra me fansa, por refuzoi të më paguante

Teksa yjet e showbiz-it “luftojnë” kush e kush të jetë më popullor dhe të ketë më shumë fansa, pak e dinë që punën për ta e bëjnë persona të tretë. Stiljano Kananaj është një djalë 19-vjeçar, i cili njihet mes personazheve VIP si menaxhuesi i faqeve të tyre online, nganjëherë edhe si krijuesi dhe personi që i bën faqet aktive dhe me shumë fansa. Por sekretet e “virtualitetit”, ndonjëherë nuk funksionojnë ashtu siç duhet, sepse jo të gjithë pranojnë të paguajnë. Kananaj ka faqet e Einxhel Shkirës, Rudi Hizmos dhe Roza Latit. Ndërsa faqet që ka shitur janë e Kallashit, Luana Vjollcës dhe disa të tjerëve. I pyetur sa kanë paguar personazhet pasi ua ka shituar faqet, ai përgjigjet: “Në fakt, Luana refuzoi të paguante për faqen, nuk donte ta blinte... derisa ia bleu një person tjetër. Unë e kisha çuar faqen e saj me 400 mijë fansa dhe e shita.” Ndërsa për çmimin e një faqeje funpage, ai thotë se është i kënaqur, sepse ka pagesa të kënaqshme. “Një faqe me 100 mijë fansa kushton 600 euro, por varet nga aktiviteti. 600 euro kushtoi e Kallashit, ndërsa e Luanës 1.800 euro”/Bluetooth/

Arilena Ara, këngëtarja 18-vjeçare që pozon hot

Arilena Ara, fituesja e edicionit të dytë të “X Factor Albania”, ka provokuar sërish me foto hot, herë duke e vendosur objektivin te gjoksi dhe herë te të pasmet. Por kjo foto që e ka bërë këtë fillim shtatori, mund të themi se është më hot nga të gjitha për 18-vjeçaren, pasi qëllimi i saj me sa duket ka qenë të tregojë sa seksi duket. Këngëtarja me pamje fëmijërore duket që është transformuar, krahasuar me daljet e saj të para në ekran si adoleshente. Një vit pasi fitoi reality show-­n, Arilena iu nënshtrua intensivisht palestrës, edhe pse ende s’i kishte mbushur 17 vjeç, mosha e këshilluar për nisjen e ushtrimeve fizike. Nga “Aeroplani” i famshëm, ajo i prezantoi ndryshimet e para fizike në klipin e saj të dytë “Business Class.”/Panorama/

Vilma Masha: Mes vajzave të bukura të ekranit nuk ka xhelozi

Moderatorja e njohur e SuperSportit, Vilma Masha, nuk është aq e shpeshtë në intervista dhe në daljet publike sa koleget e saj, por edhe në ato pak raste që bën ndonjë intervistë, përgjigjet e saj janë kaq të sinqerta, sa është e vështirë të mendosh më shumë përtej asaj që ajo thotë. Në profilet sociale, ajo shihet shpesh në shoqëri me Ilda Bejlerin, aq sa të vjen të mendosh “çfarë i lidh aq shumë?” dhe “nuk duhet të ishin xheloze për njëra-tjetrën”. Por Vilma tregon se ka kohë që ka vajzat e bukura të ekranit nuk e shohin më me xhelozi njëra-tjetrën, përkundrazi: “Vitet e fundit kanë ndryshuar shumë raportet mes vajzave të ekranit, ju e shihni shpesh këtë gjë nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe kolege, edhe shoqe. Kështu ndodh edhe në rastin tonë, nuk ka xhelozi mes nesh, kjo duket qartë. Ndërsa në punë kemi emisione të ndryshme që nuk na krijojnë mundësi për qejfmbetje” – thotë Vilma në një intervistë të fundit për “Paloma.”