Është një nga prezantuesit më të pëlqyer të Top Channel, i cili së fundi ka marrë përsipër edhe prezantimin e një spektakli si “Big Brother”, duke zëvendësuar Arbana Osmanin. Por për Ledionin, me sa duket "Top Fest"-i mbetet si ato dashuritë e para të cilën ai nuk do ta lërë, ndaj edhe nuk heq dorë lehtë. Qysh prej fillimit të edicionit të 12-të, Ledioni ndjek çdo hap fazat e festivalit, i cili pa dyshim, mbetet një ndër ngjarjet e tij më të dashura, edhe për arsyen se këtë vit ai vetë është autori.

Ditët e fundit, festivali po përgatitet të hyjë në një fazë tjetër, atë të gjysmëfinaleve, nata e parë e të cilave do të fillojë më 8 prill. Njoftimin e ka dhënë vetë Ledioni, me një video të postuar në profilin e tij në Instagram, me anë të së cilës lajmëron nisjen e netëve gjysmëfinale. Prania e Ledionit këto ditë në prapaskenat e “Top Fest”-it, e sidomos pranë së dashurës së tij, Sara Hoxha, dhe së motrës Lori, janë një paralajmërim që drejtimin e natës finale do ta ketë sërish ai nën kontroll? Apo ndoshta është herët deri atëherë? E sigurt është që festivali do të monitorohet në çdo kohë nga Ledioni.