"Në dashuri duhet të biesh çdo ditë... Të shihesh edhe me sy mbyllur... Dashurinë duhet ta jetosh dhe jo t’i gjesh një emër... Dhe e kupton që është dashuri kur tjetri nuk është me ty dhe ti humb çdo kuptim jete, çdo dëshirë për të marrë frymë, çdo aryse ekzistence…" Me këtë intervistë të Estela Ujkës, mund të ndërtohet një roman romantik. Përgjigjet e saj ngjasojnë me reshtat e frymëzuar të romancave apo vargjet e poezive që prekin zemrat e njerëzve përtej kufijve të kohës, sepse nuk janë produkt i saj, por i zemrës. Dhe njerëzit dashurojnë në çdo shekull njëlloj. Me një kusht që të dashurojnë vërtet, si ajo. Ja që heroinat romantike, me mënyrën e tyre të të dashuruarit me gjithë qenien, figura të brishta që gjejnë forcë te dashuria, ekzistojnë ende!

Nëse do të ishte me të vërtetë një roman, do kthehej shpejt në klasik, me një fillim të pamundur dhe me një fund të lumtur përallash, por fakti që është një histori e viteve të fundit, e bën edhe më interesante.

Ajo një ish-prezantuese që, edhe pse është larguar nga televizioni, nuk e ka braktisur jetën publike si një nga blogger-et më të njohura të modës në Shqipëri, ndërsa vazhdon të ushtrojë profesionin e saj të ekonomistes në një nga bankat e kryeqytetit, ndërsa ai një biznesmen 15 vjet më i madh sesa ajo.

Kishin komunikuar për 6 muaj pa u takuar, derisa një ditë, teksa ajo dilte nga xhirimet e “Showbiz” të TV Klan, më në fund u panë. Por nuk kishte dashuri në atë shikim të parë. Dhe kur dashuria do të lindte, familja e saj, nuk do ishte dakord që e bija të martohej me një burrë që kishte pas krahëve një martesë të përfunduar. Megjithatë ata të dy besuan. Deri në arrati…Me një muaj mjalti në Petrelë, pranë një oxhaku ku as nuk dinin si të ndiznin zjarr. Është një histori dashurie romanesh…

Foto: Orsola Mema Class Photography

Dashuria e parë, të kujtohet?

Dashuria e parë nuk harrohet kurrë. Ajo mbetet e pashlyer në kujtime pasi mbetet një ndjenjë e pastër.

Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?

Puthja e parë me fluturat në stomak një zbulim i pafajshëm.

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?

Për dashurinë ia vlen të bësh çdo gjë dhe pa kushte. Të ngulësh këmbë ndonjëherë është më e thjeshtë se të heqësh dorë. Më shumë se të ngulësh këmbë në dashuri, duhet të pranosh të biesh në dashuri çdo ditë.

Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?

Dashuria mbetet një mister për të gjithë që nuk lidhet me arsyen, ndaj edhe në ardhtë si puhizë, apo si tërmet, ti duhet vetëm ta jetosh e jo t’i gjesh një emër.

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?

Nuk më është dashur ndonjëherë të krijoj një strategji për të joshur, jam mjaftuar duke qenë vetvetja e duke pasur një sjellje të përmbajtur e të mirë. Por kam kuptuar që sa më indiferente të jem shfaqur aq më shumë interes kam pasur mbrapsht.

Kategoritë e djemve që nuk të pëlqejnë?

Ata që nuk dinë të respektojnë një femër, qoftë kjo mamaja, gruaja, motra.

Çfarë përdor për të joshur: pamjen, pasurinë, trurin, humorin?

Jo dhe aq për të joshur sesa për t’u prezantuar, mendoj se i përdor shumë mirë trurin dhe humorin :)  dhe s’po bëj humor me këtë lol.

Shqisa më e rëndësishme në dashuri.

Do thosha zemra, por dhe ajo të tradhton ndaj mendoj se njeriu nuk dashuron vetëm me një shqisë, por me gjithë qenien e tij, madje dhe me pavetëdijen.

Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?

Unë vija nga xhirimet e Showbiz dhe isha veshur me të zeza nga koka te këmbët, pasi binte një shi i imët, ai ndërkohë kish veshur xhinse dhe xhaketë të bardhë me mëngë të përthyera. Unë nuk e njihja adhuruesin sekret edhe pse komunikonim prej 6 muajsh ndaj dhe takimi ishte shumë ankthioz për mua sigurisht dhe për atë që do linte përshtypjen e parë te mua.

Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?

Është shenjë pasigurie.  

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?

Me Lencin nuk ishte dashuri me shikim të parë definitivisht, madje ishte nga ato njohjet qe ti je e bindur që s’do ndodhë KURRË diçka më shumë.

Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?

Seksi është njësoj i rëndësishëm sa respekti reciprok, mirëkuptimi dhe besimi… vlera të cilat ndërtojnë një raport të shëndetshëm.

Serial lover-ët i shmang apo të joshin?

Nuk kam njohur kurrë një serial lover.

Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?

Unë jam pro çmendurive për dashurinë nëse porta është e hapur nga ana tjetër J. Një dashuri fataliste nuk do i shërbente askujt.

Foto personale

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?

Në fillim mendoja që të kundërtat tërhiqen, por tani që kemi mbi 10 vjet bashkë, kuptoj që jemi bërë shumë të ngjashëm me njeri-tjetrin.

Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?

Të shihesh dhe me sy mbyllur.

Foto: Orsola Mema Class Photography

Sakrifica apo lule dashurie?

Sakrifica dhe ndenjë e vërtetë.

Bëjmë një bilanc të historisë suaj?

Historia jonë e dashurisë filloi si sfidë e lojë, derisa ramë të dy brenda dhe kuptuam që dashuria jonë, ishte e pamundur. Lenci vinte nga një martesë e përfunduar dhe familja ime nuk e pranonte kurrë zgjedhjen time. Kështu që e vetmja rrugë ishte të arratiseshim. Muaji jonë i mjaltit ishte në Petrelë, të fshehur nga gjithë bota me një oxhak, të cilin nuk dinim as ta përdornim.

Koha është ilaçi më i mirë ndaj dhe gjërat shkuan vetë në vend, dashuria jonë i theu gjithë barrierat me familjen dhe opinionin. Sot, jemi prindërit e 2 vajzave të mrekullueshme, Lorest dhe Sharmin dhe ndonjëherë mendoj që jemi nga të paktët me fat që e mbyllën historinë e tyre me jetuan të lumtur përgjithmonë…

Foto personale

Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?

Ti nuk e kupton asnjëherë derisa nuk je me të dhe humb kuptimin e jetës, dëshirën për të marrë frymë dhe arsyen tënde të ekzistencës.

Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?

Kur mendoj për dashurinë time me Lencin, nuk më vjen në mend vetëm një vend apo një ushqim, apo një muzikë, përkundrazi, mendoj që nuk ka nevojë as për ushqim e as për muzikë… dhe as për një vend të hajrit J për t’u dashuruar.

Dashuron shumë? Apo mesatarisht?

Dashuroj vërtet…