Arlinda Morava është larguar në Rumani që në moshë të re, ku njohu edhe atë që sot është bashkëshorti i saj dhe në atë kohë ishte dashuria e parë. Kanë kaluar 18 vjet që atëherë dhe sopranoja shqiptare dhe instrumentisti rumun, që interpreton në RadioTelevizionin Shtetëror atje, tani kanë dy djem. Ajo është bërë nënë në moshë shumë të re. Ishte vetëm 19 vjeçe kur lindi fëmija i parë, megjithatë Arlinda e vazhdoi karrierën dhe sot është një artiste e spikatur, jo vetëm për vokalin, por edhe interpretimin lozonjar e femëror. Të kujton personazhet e operave. Edhe në mënyrën si përjeton e përshkruan dashurinë e saj. Një emocion që shumë e kanë harruar nga dashuria e parë, por ajo e ndjen ende. Një ndjenjë e thellë, naive, e plotë, e pastër si e heroinave të operave të njohura, që nuk sheh, nuk njeh kufij teksa ecën e verbër, pa nevojën për të parë, sepse mjaftojnë rrahjet e zemrës, si shqisë, për të mos humbur…

Dashuria e parë të kujtohet?

Po me shumë nostalgji e kujtojmë. Një ndjesi e mrekullueshme.

Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?

Një zbulim i shoqëruar me emocion.

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?

Jo, dashuria është ndjenja më e pastër që ekziston, nuk është detyrim është ndjenjë. Dashuria të bën human, të bën të bukur dhe nuk mbahet me këmbëngulje, por me shpirt e zemër.

Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?

Jo, një ndjenjë e thellë, që e përjeton shumë pak herë në jete ose kurrë, maramendja është çështje momenti :).

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?

Vështrimi. Sytë janë pasqyra e shpirtit.

Kategoritë e meshkujve që nuk të pëlqejnë?

Meshkujt e vegjël në vizion dhe shpirt, d.m.th.ata të kompleksuarit.

Çfarë përdor për të joshur: pamjen, pasurinë, trurin, humorin?

Humori ka lidhje me trurin :).

Shqisa më e rëndësishme në dashuri

Rrahjet e zemrës.

Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?

Nuk e mbaj mend, më saktë nuk jam e sigurt.

Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?

Jo, është shenjë respekti ndaj vetes.

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?

Nuk besoj në dashurinë me shikim të parë, ajo thjesht mund të quhet joshje.

Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?

E para është dashuria dhe seksi s’bën gjë tjetër përveçese e mban të ndezur marrëdhënien.

Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?

Dua ta surprizoj partnerin me veprime të ndryshme që atij i sjellin kënaqësi.

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?

Ngjashmëria.

Të shiheni në sy, apo në të njëjtin drejtim?

Të shihemi në sy.

Sakrifica apo lule dashurie?

Të dyja.

Bëjmë një bilanc të historisë suaj?

Pasion, ndjenjë, dëshirë, mbeshtetjë dhe besim. 

Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?

Nga faktet që flasin vetë.

Dashuron shumë? Apo mesatarisht?

Dashuroj pa matje. Vetëm dashuria që nuk njeh kufij, ajo është e verbër :).