Ka një arsye pse na pëlqen t’i kthehemi bllokut të kujtimeve, apo ditarit të fëmijërisë. Sepse aty gjejmë dëshirat e hershme dhe gjithë gjërat për të cilat kemi ëndërruar. Por Kristi Janku, Kiki, është një nga ato vajza, që nuk ka hequr dorë nga ëndrrat duke u rritur. Dhe atë librin ku shkruhen frazat më të dashura dhe ku ngjiten foto, në vend që ta harronte në fund të ndonjë kutie me gjithë sendet e tjera të fëmijërisë e kthehu në një blog me emrin më të natyrshëm të mundshëm “Kiki’s Book of Dreams”. Në atë kohë (16 vjeçe), moda ishte pasioni i saj, por kishte zbuluar edhe një tjetër, gatimin e ëmbëlsirave, për të cilin është bërë e njohur në rrjetet sociale dhe në media. Me të drejtë! Blogiste të përqendruara te moda, stili dhe veshja ka plot, por një adoleshente që poston receta ëmbëlsirash, është më e vështirë të gjesh. Dhe kostoja e të qenit e veçantë është që të duhet ta përsërisësh shumë shpesh historinë tënde, si për shembull që pasionin e gatimit e ka marrë nga gjyshja, që ëmbëlsirën e saj të parë, që përfundoi një kek i dështuar, e ka përgatitur në moshën 12 vjeçare, etj. etj. Megjithatë një vajzë si Kiki nuk të lë me lajme të vjetra. Vetëm para pak muajsh, ka hapur sajtin www.kikiliciouss.com, ku tre herë në javë bën postime të reja: një herë një ëmbëlsirë, pastaj një koktej dhe herën e tretë këshilla për tendecat dhe stilet e jetesës, një angazhim jo i paktë për një vajzë që këtë tetor nis studimet në degën Art dhe Design të Universitetit “Polis” ku, prej kohësh, edhe punon: përgatit ëmbëlsirat për kantinën e universitetit. Objektivi i saj gjatë studimeve universitare është pikërisht të eksplorojë marrëdhënien midis dizjanit dhe kulinarisë, diccka unike deri më tani dhe ndryshe nga të tjerët.Megjithatë, këto muajt e parë pas hapjes, sajti ka gjithë vëmendjen e saj, sepse kështu është Kiki: jepet pas gjërave dhe bën maksimumin që ato të jenë të përkryera. Por kujdes! Jo një perfeksion i shtirur. Diçka e mirë, e arritur me pak, si për shembull një aktivitetme veshje prej materialesh të riciklueshme që organizoi në palestrën e shkollës tre vjet të shkuara apo si një sharlotka me mollë, që i gjeni te blogu i vjetër. Nuk ka hequr asnjë nga ato foto dhe pse tashmë postimet janë shumë më të elaboruara. “Nuk kam pse t’i heq fotot e vjetra, siç bëjnë disa. Ato tregojnë si e kam nisur dhe si kam ecur, tregojnë diçka shumë të bukur për atë kohë dhe janë origjinale.” Dhe nuk ka qenë aq e lehtë. Shpesh herë, Kiki i fotografonte vetë ëmbëlsirat në çdo fazë të përgatitjes, para se e motra, Eranda, t’i jepte një dorë për fotot (edhe në kuptimin e parë të fjalës, sepse Kikit i duhej e saja për gatimin). Dhe përfitimi ishte i madh duke qenë se dora dhe aparati i Erandës janë profesionalë. Kjo gjë dallon edhe më shumë te sajti i ri www.kikiliciouss.com, një vend ku ndihesh mirë, me ngjyra të pastra dhe ndriçimin e duhur, ku asgjë nuk është e tepërt dhe ku të gjitha fotot janë me rezolucion dhe cilësi. Ndoshta nuk ngjajnë me ato të një ditari të vjetër, por janë prova më e mirë që nëse nuk i harron ëndrrat aty, ato bëhen realitet.

Unë gatuaj për kënaqësinë time dhe të njerëzve të rrethit të ngushtë familjar e shoqëror (duke mos përmendur këtu punën time). Të pasurit një web e bën këtë gjë më impenjative dhe kërkuese. Nuk i jam futur ende marrjes dhe realizimit të porosive pasi është diçka që duhet t’i kushtohesh full-time dhe për momentin kam plane të tjera parësore, siç është shkolla.

Të qenurit një blogger më ka ndryshuar jetën në kuptimin e plotë të saj. Të ndash pasionet e tua me të tjerët është diçka që shpesh nënvlerësohet. Teksa fillova të postoj mbi pasionet e mia në blog, kuptova sesa shumë njerëz ka që ndajnë të njëjtat pasione apo mendime me mua dhe e kundërta sa shumë njerëz të cilet me mendimet e tyre ndryshe nga ti, të bëjnë ta shohësh çështjen me një këndvështrim tjetër. Ndihem me fat që kam pasione të ndryshme, por që së bashku përbëjnë ato copëzat e puzzle-it tashmë të formuar. Në fakt gatimi, moda dhe format e tjera të artit kanë kaq shumë të përbashkëta dhe plotësojnë kaq mirë njëra-tjetrën saqë ndonjëherë mendoj se s’do kish kuptim njëra pa tjetrën. I vetmi ndryshim apo e veçantë që s’ia japin dot njëra- tjetrës është fakti se gatimi të plotëson dhe kënaq në mënyrë jetësore, ndërkohë që moda dhe format e tjera të artit janë më tepër estetike, por tepër të fuqishme… duhet cilësuar.
Jetojmë në një kohë kur kaloritë janë kthyer në protagoniste. I mban parasysh kur përgatit ëmbëlsirat, apo u bindesh vetëm kritereve të shijes?
Është e çuditshme në fakt që kjo pyetje më është bërë shumë shpesh së fundmi. Për të qenë e sinqertë është një pyetje që dhe unë ia kam shtruar vetes fillimisht dhe duke marrë përgjigjen e saj nisa të veproj. Njerëzit në kohët e sotme kanë nisur t’i kthejnë sytë drejt ushqimit të shëndetshëm dhe pse arsyeja nuk është kaq “e shëndetshme” sa duket :), por më vjen mirë që njerëzit kanë nisur të shohin me kujdes se çfarë konsumojnë! Falë një metabolizmi të shkëlqyer të trashëguar nga mamaja ime, nuk kam pasur kurrë probleme me shtimin në peshë. Duke qenë kështu, kaloritë nuk i konsideroj si një element për t’u shqyrtuar gjatë konsumimit të një ushqimi të caktuar, por me kalimin e kohës nisa të kuptoj se zgjedhjet dhe publikimet e mia ishin disi “egoiste”. Kështu nisa dhe unë t’i shoh kaloritë si protagoniste. Është një botë më vete dhe për të kuptuar kaloritë, sasinë e proteinave, karbohidrateve që përmban një copë ëmbëlsirë apo çdo ushqim, në thelb është goxha e vështirë, por tani unë jam duke mësuar dhe duke marr leksione kudo që të mundem mbi to për të krijuar kështu receta të cilat do të ndihmonin një grup të madh njerëzish dhe që në fund të fundit nuk do i bënin të pendoheshin pasi ta kishin ngrënë atë ëmbëlsirë.
Cila është koha më e gjatë e kaluar në kuzhinë për një ëmbëlsirë? Çfarë ëmbëlsire është ajo që të matemi mirë para se të vendosim ta përgatisim?
Koha më e gjatë për një ëmbëlsirë të vetme s’më kujtohet, por ditët e punës me aktivitete të rëndësishme dhe të mëdha janë goxha impenjative dhe shpeshherë më duhet të kaloj mbi 10 orë në kuzhinë.
Nga postimet, kuptohet që ndonjëherë gatuan edhe natën. Si shpjegohet kjo, të kap frymëzimi në atë orë?
E keni parasysh atë momentin kur mamaja vjen në kuzhinë në mes të natës e sapozgjuar dhe pyet e bezdisur “këtu ti ?! ”? Haha…epo unë e kam. Po, unë gatuaj atëherë kur ndiej se po më hahet diçka e embël dhe për mua s’ka shumë rëndësi në është ora 10 e paradites apo 2 e mëngjesit.
Po kuzhina, preferon të jetë jotja apo përshtatesh në çdo vend?
Për sa i përket kuzhinës përshtatem kudo të jem. Kjo është e bukura apo jo?! Të ndiesh e lirë dhe e aftë për të improvizuar diçka kudo, por më duhet ta pranoj se në shtëpinë time jam më komode dhe fleksibël duke qenë se aty i kam të tëra duke nisur nga përbërësit dhe pajisjet ndihmuese.
I ha të gjitha ëmbëlsirat që gatuan, apo ke dhe ti përbërës të papreferuar që nuk të lënë t’i shijosh të gjitha?
Duke qenë se gatuaj për veten dhe familjen time (duke përjashtuar punën) bazohem tek shijet e mia personale dhe normalisht atë të pjesëtarëve. I vetmi frut që nuk ha është rrushi dhe ndoshta ky frut i përdorur në një tartë verore do më bënte që mos ta konsumoja si ëmbëlsirë, por përsa i përket pjesës tjetër, jo. Jam fëmijë i mbarë kështu në përgjithësi :).
Ka raste kur një ëmbëlsirë nuk të del si duhet? Çfarë ndodh me të?
Po normalisht që ka dhe më duhet të pranoj se faktori kryesor është humori. Por mos harroni se ajo ëmbëlsirë që ndoshta s’ka dalë ashtu siç e doni mund të transfomohet në një ëmbëlsirë totalisht tjetër. Ky është dhe çelësi për të mos i lënë gjërat të shpërdorohen. Pse ta hedhesh në koshin e plehrave kur mund ta kthesh në një tjetër mrekulli ?!
Mund të na tregosh një rast të tillë
Shembulli i parë që më vjen në mendje kur përmendet dështimi i një keku janë të quajturat "Cake Pops". Thërrmohet keku në copëza të vogla dhe me pas ai laget me ajkë të ëmbël dhe liker apo çdo përbërës ndihmues sipas dëshirës. Më pas formohen topa me këtë masë kompakte dhe këto topa lyhen me çokollatë të zezë ose të bardhë e më pas vishen me sheqerka, fruta të thata të copëzuara apo çdo gjë që ju vjen në mendje dhe ju pëlqen.
Shpenzon shumë për përbërësit dhe pajisjet e kuzhinës?
Mund të them se shpenzoj goxha, qoftë për përbërësit ashtu dhe për pajisjet, por kjo sepse unë merrem me këtë fushë dhe pajisjet ndihmëse të ndihmojnë në kohë dhe në profesionalizëm. Gjithsesi unë ende vazhdoj të them se çdo gjë mund të realizohet dhe me “një tas e një pirun në dorë” (fundja si ia kanë bërë gjyshet/stërgjyshet tona?!) për aq sa ekziston dëshira dhe pasioni për të gatuar.
Sa të ka kushtuar ëmbëlsira më e shtrenjtë?
Nuk mund të them që kam provuar të gatuaj ndonjë ëmbëlsirë që i kalon pritshmëritë e lexuesëve për sa i përket kostos.
Kalojmë në ekstremin tjetër. Nëse në shtëpi ke vetëm gjëra bazike dhe do të përgatisësh një ëmbëlsirë, çfarë mund të jetë ajo?
Sa më pëlqen kjo pyetje. Në fakt e kam bezdi të flas për ëmbëlsirën më të shtrenjtë të mundshme, apo për pajisjet luksoze të fundit që unë mund të kem në kuzhinë. E në fund pse t’i privojmë lexuesit e t’u japim mesazhin se duhet një kosto kaq e madhe për të ndjerë shijen e mrekullueshme të ëmbëlsirave të ndryshme? Dhe me gjërat bazë në kuzhinë ne mund ta marrim veten me të mira. Një kek i thjeshtë vanilje, portokalli, limoni janë zgjedhjet ideale në raste të tilla. Ose biskota të mbetura në kuzhinë që s’jua ka më ënda t’i konsumoni ashtu, thërmojini me dorë, pak salcë kosi pa kripë e përzier me kos e pak sheqer, me fruta të çdo lloji sipër dhe ja ku keni një ëmbëlsirë e cila do t’jua thyejë rutinën e ditës. Madje, qysh fëmijë, unë kam konsumuar atë që quhet vezë e rrahur. Shumë prej jush do sjellin ndërmend imazhet teksa mami na e vendoste pjatën me të bardhën e vezës sipër kokës për të provuar që ajo ishte e rrahur aq sa duhej. Pra dhe një vezë dhe pak sheqer bëjnë mrekullira; e shikoni ?
Cilat janë ëndrrat në sirtarin e kuzhinës tënde?
Disa po i ruaj se s’dua të prish surprizat e së ardhmes, por dicka që vërtet kam dëshiruar që fëmijë ka qenë një kuzhinë gjigande (siç e quaja atëherë) e cila do kishte atë ishullin e famshëm të cilin unë e dashuroj. Një hapësirë e madhe vetëm për mua dhe njerëzit që dinë të vlerësojnë dhe duan gatimin si unë. Plot dritë dhe frymëzuese.
I mendon ndonjëherë njerëzit të shoqëruar me një ëmbëlsirë. Nëse po, ti çfarë ëmbëlsire je?
Po, njerëzit kanë një ëmbëlsirë të tyren që i karakterizon. Është si shenja e horoskopit, por më interesante. Unë?! Besoj se jam tiramisu-ja. Një ëmbëlsirë që asnjëherë nuk del nga moda, e lehtë në shije; mund të konsumosh sa të duash dhe sërish ta kesh mendjen atje. Një recetë e krijuar që më 1960 dhe sërish me kaq shumë surpriza brenda saqë mezi pret ta eksplorosh, çdo herë duket si hera e parë. Më duhet të pranoj (pa u mburrur) se më ka dalë nami që bëj tiramisu-në më të mirë (por për këtë duhet ta provoni dhe bindeni vetë, recetën e gjeni së shpejti tek webi im www.kikiliciouss.com)
Pse Kikiliciouss?
U bënë shumë vite tani që nofka ime është Kiki aq sa njerëzit e kishin të vështirë të bënin lidhjen e emrit tim të vërtetë me atë që unë përfaqësoja. Për sa i përket emrit te webit është një miksim i nofkës sime Kiki dhe fjalës angleze “e shijshme”: delicious. Fillimisht e përdorur si emri i tortës që unë shpika për miken time më të mirë në ditën e ditëlindjes së saj e më pas e gjendur kaq ëmbël dhe ngushtë dhe me atë që unë doja të përfaqësoja sa u bë dhe emri i asaj çka unë përfaqësoj sot.





