Edhe pse nuk shkruhet askund, fëmijët, për t’u rritur në njerëz të mirë, veç atyre që përmenden në Konventa e Kushtetuta, kanë nevojë për kujtime të bukura... i duhen thelbit, në mënyrë që, kudo që t’i çojë era më pas, të mund të çelin. Kështu ka qenë për Beatrix dhe Alban Ramosajn, që janë lindur në Holandë, kanë jetuar në disa shtete e kanë kanë krijuar personalitetet e tyre në Tiranë, për t’u bërë, veçse artistë, dy njerëz që është e vështirë të mos i pëlqesh, pak kohë pasi i ke takuar.
Dhe sigurisht që ata janë kështu sot, prej jetës që kanë pasur, prej njerëzve që i kanë rrethuar, prej kujtimeve që kanë grumbulluar dhe i kanë marrë gjithmonë me vete, një Arkë Besëlidhjeje si e izraelitëve me Zotin, e cila, në rastin e tyre, mbart porosinë që familja është gjëja më e rëndësishme në këtë botë dhe që asgjë nuk do jetë më e fortë sesa ata, kudo qofshin, nëse janë bashkë.

…Prindërit e tyre u njohën në Gjermani, ku e ëma punonte te dyqani i dajës së vet dhe me shumë mundësi, atë ditë po shiste akullore. Më vonë, kur ishin zhvendosur në Groningen, u bekuan me një vajzë që i vunë emrin e mbretëreshës së atëhershme të Holandës, por edhe të përjetimeve të tyre, Beatrix, që në latinisht do të thotë “ajo që të bën të lumtur”. Madje, sikur emri të donte të shfaqte gjithë përdorimet e tij, këngëtarja e bukur dhe sexy e skenës, jashtë saj, me të folurën aq të natyrshme në dialekt, sytë me ngjyrë liqenesh e një pafajësi që grimi nuk ia fsheh dot, nëse “Komedia Hyjnore” do shkruhej sot, mund të ishte fare mirë një Beatrice. Por nuk ka qenë gjithmonë kaq e butë dhe e paqtë… Albani mund ta dëshmojë mirë, që në kohën kur nis të mbajë mend. Ai u lind dy vjet më vonë, në Eindhoven. Pas tre vitesh në Holandë, prindërit e tyre u zhvendosën sërish në Gjermani dhe pas tre vitesh të tjera, pasi mbaroi lufta në Kosovë, u kthyen në fshat, në Llapashicën e Poshtme, ku përmblidhen kujtimet më të bukura të fëmijërisë së atyre të dyve. “Ne jemi kënaqur, kemi krijuar, përdornim fantazinë për t’u argëtuar, luanim me dhé, kapnim çdo gjë me dorë, ndërtonim, lyenim me ngjyra…Është shumë e veçantë jeta në fshat. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur ta kemi këtë përvojë. Kemi dhe një shtëpi aty, që e kanë ndërtuar babi dhe mami kur janë kthyer nga Gjermania, që do e rregullojmë dhe gjithmonë do ikim atje të kalojmë pushimet, kur të bëhemi me fëmijë. Është vendi ideal i qetësisë”, thotë Beatrix.
“A thua do e vlerësojnë fëmijët? Do thonë “çfarë është ky vend ku na keni sjellë?”…”, nuk vonon të gjendet atje Albani, në tokën që i ka falur një këndvështrim tjetër për jetën dhe një paqe që nuk e gjen kudo. Aty ata nisën edhe shkollën, Beatrix kreu pesë vitet e para derisa u vendosën në Prishtinë dhe më vonë, kur ajo mbaroi nëntëvjeçaren, erdhën në Tiranë. Këtu mund të thuash që mori fund dhe ajo “periudha” e grindjeve për hiçasgjë dhe ajo u bë aq e përkushtuar ndaj tij sa një motër e madhe mund të jetë. Tani ndajnë bashkë të gjitha sekretet, shakatë, madje mund të ndajnë, pa u grindur, edhe mishin e pulës. Ndërkaq rastësia, ka bërë të kenë edhe të njëjtat përvoja në televizion. Albani këtë vit konkurron në Dance with me, ndërkohë që vetëm një vit më parë Beatrix merrte pjesë në “Dancing with the stars”. “Në atë kohë, ishte edhe tezja, te Dance dhe në shtëpinë tonë flitej vetëm për kërcimet që na kishin rënë për javën e ardhshme, për provat, për baletin”, kujton Beatrix. “Hapja derën unë, shihja Beatrix në ndonjë pozicion të çuditshëm kërcimi dhe mendoja që nuk ishte shumë në rregull, por tani e kuptoj që nuk paska pasur faj”. Tani duhet të realizojë vetë çdo javë një vallëzim të ri ndërkohë që Beatrix zbulon, që me shumë mundësi, sezonin e ardhshëm në ekran do të jetë ajo, sepse produksioni e ka ftuar për të marrë pjesë në Your Face Sounds Familiar.
Shkëmbejnë shaka dhe Albani vazhdon ta ngacmojë si për të shlyer ndoshta të gjitha ngacmimet e fëmijërisë së hershme, por e vërteta është, që ai është më shumë sesa i kujdesshëm ndaj saj, ndërsa Beatrix “nuk rri dot pa atë fytyrë” aq sa i vjen habi me veten kur kujton sa shumë e nervozonte dikur fëmija i urtë që nuk bënte asgjë dhe që prindërit i kushtonin aq shumë vëmendje.

E kujton kohën kur u lind Albani? U bëre xheloze?
Beatrix: Tani, kur e mendoj, them “Beatrix çfarë ke bërë?”. Unë kam qenë një fëmijë i zhvilluar, kam lindur 5 kg e 300 dhe kam qenë shumë problematike. Kur lindi Albani, më kanë treguar që kisha gjetur një shkop, e fusja mes dërrasave të krevatit të tij dhe e ngacmoja. Ky rrinte shtrirë, nuk lëvizte, një përtac i vogël…dhe unë që mendoja “Pse e doni këtë? Kush është ky? Hiqeni!”…tani nuk rri dot pa këtë fytyrën asnjë sekondë.
Kur u bëtë shokë pastaj?
Beatrix: Jeta jonë sa e bukur, aq edhe e vështirë ka qenë. Babi nuk jeton më dhe mamit në moshën më të bukur të saj dhe më të vështirën tonë, i është dashur të kujdeset për ne. I është dashur të mbajë edhe dy-tri punë që mos të na mungonte gjë dhe është diçka shumë e vështirë, sidomos për një femër. Mami për ne është një heroinë, ka qenë si të kishim pesë baballarë. Në Prishtinë ishim vetëm, kur kemi ardhur në Tiranë ishte vend i ri dhe mami ia ka dalë falë Zotit! Jeta na ka afruar shumë dhe na ka bërë shumë të fortë. Jemi me këmbë në Tokë dhe faleminderit Zotit që dimë t’i vlerësojmë gjërat e vogla dhe gjërat e vërteta që kanë rëndësi në këtë jetë. Dimë të shijojmë momentin, dimë të kuptojmë çfarë është e mirë, çfarë është e keqe, ta mbrojmë njëri-tjetrin. Ndoshta ne jemi pjekur pak më herët, sepse kemi marrë përgjegjësi më herët, na është dashur të kujdesemi për njëri-tjetrin edhe pse kujdesi i mamit nuk ka munguar asnjëherë.

Kaq shumë përgjegjësi, e bënë mamanë tuaj një grua të fortë në dukje, apo ajo qëndroi njëlloj e dashur dhe e ëmbël me ju? Çfarë marrëdhënie keni me mamanë?
Alban: E kemi si shoqe, nuk ka një fjalë që mund ta përshkruajë atë, është…Ajo. Ndoshta ngaqë është rritur në një mënyrë të ngjashme, pa baba, ka ditur si t’i kanalizojë gjërat që i kanë munguar, te ne.
Beatrix: Ne të tre, më duket se jemi ndryshe nga të tjerët. Mami gjithmonë e ka pasur një mënyrë ndryshe, shumë të veçantë, na ka rritur me shumë dashuri. Jemi shumë me fat që e kemi. Jep këshilla shumë të mençura dhe të ndihmon të kuptosh çfarë është mirë dhe çfarë nuk është dhe shpresoj që, dhe ne, kur të kemi fëmijët tanë, t’i edukojmë kështu.
Çfarë po mendon Alban?
Po mendoja për fëmijët, por nuk e di si do ia dalim sepse unë dua të kem tetë fëmijë. Më është ushqyer kjo ndjenjë nga filmat. Mua më jep një superndjesi të lumtur kur shoh familje të mëdha …

Sepse, kështu jeni rritur?
Beatrix: Ne të gjithë kushërinjtë mblidheshim te shtëpia e gjyshes, në Deçan. Vinte tezja, Albëria, me gocat, vinte Argjentina me vëllanë… Jemi rritur dhe me frymë artistike. Ne aq të vegjël, fshiheshim në bodrum, bënim koreografi për t’i bërë surprizë mamit për ditëlindje. Kur mami me tezen dilnin, vishnim rrobat e skenës së tezes dhe këndonim këngët e Adelina Ismailit. Albani dhe vëllai i Argjentinës na dëgjonin. Ndaheshim me grupe, një grup bënte koreografi, një grup këndonte. Kemi disa kaseta të vjetra të asaj kohe, por duhen rregulluar. Shumë nga ato i mban gjyshja, thotë që do na i japë kur të martohemi :). Kemi edhe shumë kujtime të tjera më të hershme. Babi i ka ruajtur shumë momentet, është munduar të na fotografojë…Kishte një valixhe ku mbante fotot tona, dokumentet e shkollës, gjithçka. Tani e kemi gjetur atë valixhe dhe e kemi në shtëpi. Jemi me fat që babi me mami janë kujdesur t’i kemi të prekshme këto kujtime.
Si e kujtoni babain tuaj?
Beatrix: Oh sa mashkull i bukur ka qenë! Ne i kemi trashëguar sytë. Albani i ngjan 100 %. Babi ka qenë si James Dean. Më kujtohet që e ngacmonte me shaka mamin, por tani që jam rritur e kuptoj marrëdhënien e tyre. Ishte shumë i kujdesshëm, kujdesej shumë kur mësonim, që çdo gjë ta merrnim me qejf, na e shpjegonte atë që duhej të bënim në atë mënyrë që çdo fëmijë do kishte dëshirë ta bënte. Ai rëndësinë më të madhe ia jepte familjes, donte që të ishim afër dhe ne e kemi këtë. Ne edhe sot që babi nuk është më, mbajmë marrëdhënie shumë të mira me hallat. Ai na ka dhënë mësimin që familja është e shenjtë dhe duhet vlerësuar.
Ka qenë edhe shumë romantik. Kur po ndërtohej shtëpia, na tha “hajdeni të gjithë” dhe ka shkruar emrat tanë dhe datën poshtë një dërrase të parketit, ajo është përmbysur tani dhe kush e di kur do e shohim…Ishte shumë artist në shpirt.
Albani: Ka qenë shumë empatik. Kur ishte me ne, bëhej fëmijë, na shpjegonte gjithçka sipas strukturës së mendjes së një fëmije. Nuk e di, ishte…një bab!
Beatrix: Dhe diçka që unë sot e mendoj …Unë shihja tezen në televizor dhe thosha “A do vijë dita që dhe unë të këndoj në një skenë?”. Albani ishte shumë i vogël dhe nuk kishte të bënte fare me muzikën, nuk kishte treguar kurrë një shenjë dhe babi atëherë më thoshte: “kur të rriteni do dilni të dy bashkë të këndoni në skenë.” Dhe unë acarohesha dhe thosha “pse unë duhet të dal me këtë?” sepse ka qenë “periudha jonë”. Dhe tani që e kujtoj them “si e ka ditur?”, ia ka ndier zemra. Ai thoshte “ju keni me kenë gjithmonë bashkë, bashkë do këndoni”. Do doja shumë të ishte gjallë ta shihte dhe Albanin, por jam e sigurt që na sheh nga lart. Ka arritur të shohë vetëm performancën time të parë te Kënga Magjike. Kam dalë me një palë xhinse, me një kanotiere, me flokët e gjatë…I kishte shumë qejf flokët e mi të gjatë. Ai ishte në Kosovë dhe më ka shkruar: “Bravo, goca ime doli fiks ashtu siç kam pasur dëshirë”. Unë jam shumë e sigurt që është krenar dhe ne çdo fitore do ia kushtojmë atij dhe mamit.
Alban, po ty çfarë të tërhiqte kur ishe fëmijë, meqë nuk kishe punë me muzikën?
Unë i vogël mbaroja pas biologjisë, dy ëndrrat e mia ishin që, kur të rritesha, ose do merresha me herbologji, me bimët, me aromaterapinë, ose do punoja në një observator astronomik. Vazhdoj t’i kem shumë qejf e ndoshta do merrem me to një ditë, kur të kem bërë një karrierë muzikore. Edhe spiritualizmi më tërheq. Ca kohë merrja kristale, meditoja, shkoja në yoga…por ajo më tërhoqi më shumë sesa duhet dhe u shpërqendrova nga muzika. Kam folur me njerëz dhe më kanë këshilluar që tani duhet t’i fokusohem muzikës, por dua t’u kthehem sepse ishte një periudhë kur ndihesha shpirtërisht shumë lart, kisha një këndvështrim shumë hyjnor, shumë të bukur ndaj jetës, ndieja shumë paqe, shumë bardhësi…nuk di t’u gjej fjalët ndjesive.

Beatrix meqë ti ke qenë dëshmitarja e parë, si ndodhi që Albani nisi të këndojë?
Unë kam dalë në skenë më herët, nuk e kam pasur problem, ndërsa Albani ka qenë më i drojtur, vonë është shfaqur, por tani që u shfaq jam e sigurt që do na bëjë krenarë. Ky do bëhet i famshëm në botë, aq i talentuar është, si këngëtar dhe si krijues. Kur ishte i vogël, vetëm mua më tregonte. Unë i thosha tezes që Albani këndon, ajo nuk më besonte…Mundohesha ta kapja duke kënduar, më ikte. I thosha “Alban të lutem këndo para të tjerëve”, nuk donte. Edhe Argjentina kështu ka qenë.
Albani: Po… dhe Argjentina shumë vonë është shfaqur si këngëtare. Veç kur erdhi një ditë dhe tha: “Kam një surprizë”. Unë thashë mos ishte shtatzënë. Kur nxori këngën me klip! Uau!
Si iu mbush mendja Albanit të këndonte para të tjerëve?
Më në fund Albani vendosi t’i tregonte mamit dhe të tjerëve. Këndoi “Ndarja” të Soni Malajt. Ishte shumë emocionuese ngaqë unë kam qenë shtysa, doja të këndonte sepse e kuptoja që nuk ishte i zakonshëm…Albani është shumë i veçantë. Isha unë që e shtyja, i thosha “a do marrësh pjesë në X Factor?”. Por nuk e dinim që duhej të uleshim, të punonim, të merreshim me zërin, më vonë pastaj hymë në Lice. Kur ka marrë pjesë në X Factor, Albani ishte fëmijë. Shkonim dorë për dore. Pastaj hyri në Lice dhe në atë kohë nisi të punonte shumë, mbyllej në dhomë e punonte me zërin. Ka punuar shumë vokalisht dhe ka bërë një ndryshim të madh. Pas tre vitesh nga X Factor, mori pjesë në The Voice, ku i çmendi të gjithë. Edhe pse nuk fitoi, Albani mbahet mend nga ai edicion.

Si e kujtoni herën e tij të parë në The Voice? E sheh ndryshe, mami nga ç’të sheh ty?
Ne kemi qenë si zakonisht me të në audicion. Ka qenë një emocion shumë i fortë dhe jam shumë e lumtur që Aurela Gaçe i ka dhënë vullnet dhe i ka nxjerrë në pah vlerat, duke thyer edhe rregullat e televizionit, për të treguar që ai është i aftë. Kur ka dalë Albani për herë të parë në The Voice, mua dhe mamit na iku zemra në tokë. Dhe tani, kur kërcen në Dance with me, mami është me zemër në dorë çdo javë, aq pikë të dobët e ka. Me mua është më ndryshe, ndërsa atë e kemi pikë të dobët…
Kur ishim te Top Fest dhe Albani do këndonte Live “A më do?”, unë isha shumë e emocionuar sepse kënga ishte e vështirë dhe mendoja “a do e përballojë dot?”. Mami në sallë ishte duke u dridhur. Ku ka emocion më të madh për mamin sesa të shohë Albanin në skenë?! Ndërsa unë dhe Albani ishim te radha e të ftuarëve. Isha ulur aty dhe nuk më ndihej zëri i gojës. E shihja dhe ngaqë nuk doja ta ngarkoja me emocione e pyesja herë pas herë: “Alban, a je mirë?”. Kur ka dalë në skenë, unë humba fare, si çdo herë. Në ka një gjë që më emocionon më shumë në botë, është Albani. Gjithmonë ma jep këtë emocion. Nuk ka shumë ditë, më tregoi një këngë të re që kishte krijuar dhe unë fillova me lot…Ai të bën të qash.Shumë shpirt u jep këngëve ai!

Ndërkohë Alban, me ty çfarë ndodh, si ndihesh kur del të këndosh?
Unë vdes të performoj. Është një pikë në jetë që e arrin secili, reflekton dhe thotë: “Ky jam unë dhe kjo është gjëja për çfarë kam lindur, kjo është arsyeja pse ekzistoj” dhe kur kap mikrofonin dhe këndoj, unë e ndiej atë gjë, e ndiej që jam performues, e dashuroj këtë gjë.

Të dy këngëtarë, tezja juaj dhe kushërirat këndojnë, gjithashu. Ka dhe pjesëtarë të tjerë të afërt të familjes së madhe që këndojnë?
Mami tregon që kur ishte shtatzënë lutej O Zot m’i bëj fëmijët artistë! Nga ana e mamit e kanë këngën traditë. Kur mblidhemi për ndonjë ditëlindje, ose kur shkojmë me pushime në verë, apo ikim në Bjeshkë dhe ndezim zjarr në natyrë, nisim e këndojmë. Daja ka kënduar me çifteli, edhe mami i di dhe i këndon këngët e vjetra, por edhe babi kishte shumë vesh muzikor dhe i binte pianos. Kemi pasur edhe gjyshin dhe vëllain e gjyshit nga ana e babit, këngëtarë të famshëm në atë kohë. Te valixhja që ka pasur babi me fotografitë e dokumetet tona ka qenë edhe një gazetë, ku shkruhej për gjyshin.

Beatrix, ti megjithatë, pasi mbarove Liceun, edhe pse Albani po thotë që je shumë e zonja në kanto klasike, vendose të studiosh për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun. Pse nuk iu kushtove kantos?
Muzika klasike është hyjnore, unë e vlerësoj dhe e dua shumë. Edhe në personalitet jam pak viktoriane dhe më thonë që dukem edhe në pamje kur i kap flokët me gërsheta dhe vishem me të bardha, megjithatë e dua shumë dhe muzikën e lehtë, kështu që do qëndroj te ajo.

Meqë u përmend pamja, Alban, si është të jesh vëllai i një motre të bukur? E ke ndier këtë në një mënyrë të veçantë?
Ekam ndier, por jo në mënyrën tipike siç mund të ndihet këtu…Kam qenë shumë krenar. Nuk ka qenë nevoja të isha xheloz, apo i shqetësuar, sepse nuk kam pasur pse. Beatrix ka qenë e përgjegjshme në veprimet e saj, ka ditur ku të shkelë dhe nuk më ka shtyrë të kem ndonjëherë ndjesi negative ndaj kësaj gjëje.

Beatrix, në adoleshencë ke ndarë sekrete zemre me Albanin?
Ne kemi qenë gjithmonë afër. Ndoshta periudhën e adoleshencës e kam kaluar pak vonë, sidomos në anën sentimentale, sepse sot i kalojnë shumë shpejt etapat që unë po i kaloj tani, por më mirë nga një anë.

Megjithatë tani je në një marrëdhënie të konsoliduar. Albani dhe Ervi duket se shkojnë mirë bashkë. Si i ke prezantuar ata të dy?
Kur e kam njohur Ervin, kisha pak frikë, nuk dija çfarë të bëja dhe i thashë Albanit të parit. Nuk i kisha thënë mamit ende, sepse doja ta njihja si njeri. Ndoshta është herët për të menduar më seriozisht, por kështu jam unë. Ata ishin pak shok në fillim, kurse tani janë miq shumë të mirë.
Alban, ti si e prite?
Unë jam një njeri që vdes për dashurinë, brohoras për të dhe e mbështes në çdo situatë. Kur Betarix më tha për Ervin, thjesht e pyeta “a je e sigurt?” dhe kur m’u përgjigj “po”, i thashë “ok, vazhdo”. Sigurisht që kam menduar që mund të lëndohet, nëse kështu…, nëse ashtu…, por çdo gjë ka një fillim dhe një mbarim. Lëndimi është i pashmangshëm, duhet t’i kalosh të gjitha në dashuri, por duke qenë që e njoh Ervin, mendoj që më mirë t’i kalojë me atë… dhe pse kam përshtypjen që marrëdhënia ka për t’iu zgjatur pafundësisht. Janë një çift që përputhen shumë, aq sa ndonjëherë thjesht çohem nga tavolina dhe iki… sepse ndihem i tepërt.

Beatrix, po Albani ka folur me ty për historitë e tij të dashurisë? Je bërë ndonjëherë xheloze?
Vetëm me njërën nuk kam qenë xheloze, me të tjerat po sepse Albani është shumë i mirë dhe nuk kam qenë e sigurt që ato vajza e meritonin. Albani ka pasur historitë e tij, që më kanë përfshirë dhe mua sepse më ka folur gjatë. E kam parë duke bërë çmendurira, duke vrapuar në det në orën 5.00 të mëngjesit me një shishe verë në dorë… Albani është djali që ëndërron çdo femër dhe shpresoj shumë që ta gjejë dikë një ditë, që ta dojë dhe ta vlerësojë. Është shumë i përkushtuar, shumë i dashur, shumë i drejtë…

Alban, mendon që të ka bërë partner më të mirë ambienti femëror ku je rritur?
Të rritesh në një ambient si jam rritur unë, të hap vizionin për ta kuptuar jetën në aspekte të tjera. Femra për mua është krijesa më hyjnore… Kjo jetë më ka mësuar si ta dashuroj, si ta kuptoj, si të komunikoj, si të bashkëveproj, si ta trajtoj, si të kujdesem në mënyrën më të thellë të mundshme, më të duhurën, më të saktën. Sigurisht dhe unë kam gabimet e mia, por parimisht këtë gjë më ka dhënë.
Flasim pak për historinë tënde të fundit të dashurisë, për të cilën ke krijuar edhe këngën “A më do”. Në fillim u mendua që edhe “Aurora” i kushtohej së njëjtës vajzë, por më pas në media u shkrua që emri i saj nuk është Aurora. Është Aurora, apo nuk është?
Aurora është. Në media u shkruajt sikur nuk ishte ajo sepse më pyetën nga Prive, por unë nuk desha të përgjigjesha në atë kohë. Përderisa kisha arritur te pika që dhashë diçka aq personale, indirekt për publikun dhe direkt për Aurorën, m’u duk e tepërt pyetja dhe thjesht nuk u përgjigja. Kjo u mor si mohim mesa duket dhe më pas doli që nuk ishte Aurora. Këto ndodhin në media.
Në çfarë faze je aktualisht me këtë histori?
Unë nuk resht dot së e dashuruari. Unë vazhdoj e dashuroj shumë. Nuk e di, nuk e di…(X 216 herë).
Ishte një histori e gjatë?
Po ka qenë e gjatë, shumë e bukur, kam mësuar shumë nga ajo, e kam si muzë tani, më inspiron për të krijuar, më inspiron për të jetuar, për shumë gjëra në jetë, jo vetëm në fushën e muzikës.

Pse jeni ndarë?
Jemi ndarë në mënyrë shumë paqësore. Njerëzit kanë rrugëtimin e vet në jetë dhe kur je me dikë ai rrugëtim duhet të bëhet i përbashkët. Unë mendoj që çdo gjë ka një fillim dhe një fund, nuk është ashtu siç na ka bërë lavazh truri Disney, edhe pse ka gjëra që përfundojnë mirë…Dhe arrin një pikë ku sado që mund të kesh bërë kompromise, duhet të ndjekësh rrugën tënde. Ndoshta kjo tingëllon pak si pa kuptim, sepse ka dhe disa elementë të tjerë që nuk kam dëshirë t’i përmend, por ajo që mund të them është që ajo kishte kërkesa të tjera nga jeta, kishte një rrugë tjetër nga imja dhe, me një mirëkuptim të mbushur me dashuri, rrugët tona u ndanë.
Por mund të mos jetë ndarje përfundimtare…
Nuk është… edhe ajo e thoshte, që ndoshta pas shumë vitesh... Ka qenë më shumë sesa dashuri. Kemi qenë dy shpirtra të veçuar, nga i njëjti konstelacion yjor.
Dhe ndoshta bashkoheni prapë…
Ndoshta, por nuk e di nëse vërtet do doja. Ka qenë aq perfekte dhe nuk e di nëse duhet të ketë një pjesë II sepse është si puna e filmave që i pari është “Oh Zot!” dhe i dyti është “Po pse?!”. Do doja shumë të jetoja në kujtime, ta kaloja dhe një herë. Unë jam një romantik i pashpresë dhe e di që kjo ndjenjë nuk do reshtë. Nëse doni më shumë informacion…dëgjoni këngët e mia.
Beatrix: Ne i vlerësojmë gjithmonë njerëzit që vijnë në jetën tonë duke menduar, edhe nëse ikin, për gjërat e mira që kanë lënë. Dhe ajo ka lënë një shije shumë të mirë te të gjithë ne.
Edhe për sa kohë do vazhdosh të shkruash për të, Alban?
Të paktën albumin e parë. Vetes i kam premtuar që do bëj albumin e parë dhe më pas nuk do e gërmoj më këtë ndjenjë sepse po më shkatërron. E nisa si çlirim, por më erdhën shumë gjëra pas saj, sepse kur shkruan e përjeton prapë humbjen. Po përgatis një projekt, që quhet Hiraeth dhe do publikohet në janar. Përmban një monolog, një përshkrim shumë personal të kësaj historie, shoqëruar me muzikë instrumentale, si dhe dy këngë. Kur të përfundojë gjithë albumi, do ju bëj sens e gjitha kjo histori.
Në ç’fazë je me albumin?
Tani po merrem me skenarin. Kam përfunduar 8 këngë. Nuk e di dhe sa të tjera do ketë. Kam disa krijime, por nuk e di sa do gjejnë vend sepse duhet të ndërthuren edhe me këngët e tjera, albumi duhet të ketë sens, fillim, zhvillim dhe fund. Parashikoj të publikohet brenda 2017-ës.
Po për studimet e larta, çfarë ke ndër mend të bësh?
Jam marrë me muzikën intensivisht sepse për studimet kam dëshirë të kem një përvojë jashtë, por nuk e di për çfarë, a për regji, a për aktrim, diçka për artet vizuale ndoshta sepse më pëlqen fotografia dhe e shoh që në të ardhmen e afërme do ta inkuadroj në karrierën time.
Beatrix, po ti ke një projekt muzikor?
Jam duke punuar me Albanin për dy këngë që do i prezantoj kur të përfundojnë. U bë pak kohë që jam shkëputur, sepse i jam kushtuar shkollës, por do të rikthehem shumë shpejt.

E fundit, një duet të dy, do e realizoni?
Na pyesin shumë…Do bëhet, por nuk e dimë se kur. Ajo që dimë është që duhet të jetë shumë i qëlluar, duhet të përcjellë një mesazh të fortë, nuk duhet të bëhet thjesht për hir të të pasurit një këngë të dy.