Fabian Kamberi, një sipërmarrës i ri me origjinë shqiptare, është përfshirë në listën prestigjioze të Forbes 30 Under 30 Europe 2025, në kategorinë “Sports & Games”. Kamberi është bashkëthemelues i kompanisë gjermane SLAY, e cila po revolucionarizon industrinë e aplikacioneve sociale dhe të lojërave përmes teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale.?

Një nga sukseset më të mëdha të SLAY është loja sociale Pengu, ku përdoruesit rrisin dhe ndërveprojnë me penguinë virtualë në një mjedis të ngjashëm me metaversin. Aplikacioni ka tërhequr mbi 10 milionë përdorues dhe ka siguruar 20 milionë dollarë investime, me mbështetës të njohur si Accel, Scooter Braun dhe Harry Stebbings. 

Përveç kësaj, SLAY ka lançuar edhe aplikacionin frfr (“for real for real”), një platformë sociale e fuqizuar nga AI që lejon dërgimin e mesazheve zanore anonime me zëra të personazheve të famshëm, duke sjellë një qasje të re në komunikimin dixhital. 

Kamberi, vetëm 25 vjeç, është një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë në diasporë, duke treguar se inovacioni dhe suksesi ndërkombëtar janë të arritshëm përmes përkushtimit dhe vizionit të qartë.

Burimi: Forbes