Ajnshtajn me të bijën, Nju Jork, 1939

Kur propozova teorinë e relativitetit, shumë pak njerëz më kuptuan. Dhe tani, ajo që do të të tregoj për t’ia përcjellë njerëzimit, me shumë gjasë do të hasë keqkuptime dhe paragjykime.

Kërkoj prej teje t’i ruash këto letra sa më gjatë që të jetë e mundur – vite, dekada – derisa shoqëria të ketë përparuar mjaftueshëm për të pranuar atë që do të shpjegoj më poshtë.

Ekziston një forcë jashtëzakonisht e fuqishme, të cilës shkenca ende nuk i ka gjetur një shpjegim të plotë. Është një forcë që përfshin dhe udhëheq të gjitha të tjerat, ajo që qëndron pas çdo fenomeni në univers dhe që ende nuk është identifikuar plotësisht prej nesh.

Kjo forcë universale është dashuria.

Teksa shkencëtarët kërkonin një teori të unifikuar të universit, ata harruan forcën më të fuqishme. Dashuria është dritë, që ndriçon ata që e japin dhe ata që e marrin. Dashuria është gravitet, sepse tërheq njerëzit drejt njëri-tjetrit. Dashuria është fuqi, sepse shumëfishon më të mirën që kemi brenda nesh dhe i jep njerëzimit mundësinë të mos zhytet në egoizëm. Dashuria shpaloset dhe përmbushet, sepse për dashurinë jetojmë dhe për dashurinë vdesim. Dashuria është Zoti, dhe Zoti është dashuria.

Kjo forcë shpjegon gjithçka dhe i jep kuptim jetës. Ky është variabli që kemi injoruar për kaq gjatë, ndoshta ngaqë kemi frikë prej saj – sepse dashuria është e vetmja energji në univers që njeriu nuk ka mësuar ende ta drejtojë me vullnet të lirë.

Për ta bërë të dukshme fuqinë e dashurisë, kam bërë një zëvendësim në ekuacionin tim më të famshëm. Nëse, në vend të E = mc², pranojmë që energjia për të shëruar botën mund të arrihet nëpërmjet dashurisë, e shumëfishuar nga shpejtësia e dritës në katror, atëherë arrijmë në përfundimin se dashuria është forca më e fuqishme që ekziston, sepse ajo është e pakufishme.

Pas dështimit të njerëzimit për të përdorur dhe kontrolluar forcat e tjera të universit, të cilat janë kthyer kundër nesh, është urgjente që të ushqehemi me një lloj tjetër energjie...

Nëse duam që specia jonë të mbijetojë, nëse duam të zbulojmë kuptimin e jetës, nëse duam të shpëtojmë botën dhe çdo qenie të ndjeshme që ekziston, dashuria është e vetmja dhe e para përgjigje.

Ndoshta, ende nuk jemi të gatshëm për të krijuar bombën e dashurisë – një pajisje kaq të fuqishme sa do të shkatërronte urrejtjen, egoizmin dhe makutërinë që po shkatërrojnë planetin.

Megjithatë, çdo individ mban brenda vetes një gjenerator të vogël dhe të fuqishëm të dashurisë, energjia e së cilës pret të çlirohet.

Kur të mësojmë ta marrim dhe ta japim këtë energji universale, e dashur Lieserl, atëherë do të kemi pohuar se dashuria triumfon mbi gjithçka, se ajo është në gjendje të kapërcejë çdo pengesë, sepse dashuria është vetë jeta.

Më vjen keq që nuk kam qenë në gjendje të shpreh atë që kam mbajtur në zemër – një zemër që ka rrahur qetësisht gjatë gjithë jetës sime. Ndoshta është tepër vonë për të kërkuar falje, por meqë koha është relative, dua të të them se të dua.

Dhe falë teje, kam arritur në përgjigjen përfundimtare!

Babai yt,
Albert Ajnshtajn